
Lideri i një grupi paramilitar pro-rus në Ukrainën lindore, Armen Sargsyan ka ndërruar jetë në spital pasi u plagos rëndë nga një shpërthim në Moskë mëngjesin e së hënës, raportojnë mediat ruse.
Armen Sargsyan, komandanti i batalionit Arbat, u plagos rëndë pas një shpërthimi në hyrjen e një ndërtese banimi në veriperëndim të Moskës, rreth 12 kilometra nga Kremlini.
Ai u transportua me helikopter në spital dhe u vendos në kujdes intensiv, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, sipas burimeve të besueshme në Telegram.
Të tjerë persona, përfshirë një nga truprojat e Sargsyanit, gjithashtu raportohet se janë plagosur rëndë, ndërsa disa burime pretendojnë se një tjetër person ka humbur jetën.
Kievi ndërkohë ka sulmuar dy rafineri ruse.
Në dhjetor, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) e kishte cilësuar Sargsyanin si një “boss kriminal” dhe deklaroi se ai dyshohej për “rekrutimin e të burgosurve për të luftuar në Ukrainë”. SBU kishte shtuar se ai ishte në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar që nga maji 2014. /Versus.al/







