Turqia ka lëshuar urdhër-arreste për gjenocid të dyshuar kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarëve të lartë brenda qeverisë së tij.
Midis 37 të dyshuarve të listuar ishin ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ministri i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, thuhet në një deklaratë nga zyra e prokurorit të Stambollit, e cila nuk e publikoi listën e plotë.
Turqia i ka akuzuar zyrtarët për "gjenocid dhe krime kundër njerëzimit" të cilat Izraeli i ka "kryer sistematikisht" në Gaza. Deklarata i referohet gjithashtu "spitalit të miqësisë turko-palestineze", të ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës dhe të bombarduar nga Izraeli në mars.
Turqia vitin e kaluar iu bashkua çështjes së Afrikës së Jugut duke akuzuar Izraelin për gjenocid në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që nga 10 tetori si pjesë e planit rajonal të paqes të Donald Trump.
Kjo është hera e parë që një vend anëtar i NATO-s lëshon urdhër arresti për liderin e një shteti të huaj. Versus.al
