Qindra mijëra njerëz pushtuan Beogradin mbrëmjen e së shtunës në një protestë kundër korrupsionit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç. Pavarësisht numrit të lartë të protestuesve, në rrjet qarkullojnë video të momentit kur e gjithë turma përçahet dhe prapset në momentin kur një tingull i fortë lëshohet drejt tyre.
Pavarësisht se grupet e të drejtave të njeriut raportojnë për përdorimin e një arme të fuqishme zanore kundër tyre, Vuçiç e ka mohuar diçka të tillë.
Përfaqësues të shoqërisë civile thanë se do të paraqesin padi në gjykata ndërkombëtare dhe vendase kundër atyre që urdhëruan sulmin.
“Presidenti autoritar dhe pro-rus i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi sërish se pajisja e kontrollit të turmave ishte përdorur, duke e quajtur atë një “gënjeshtër të ligë” të synuar për të “shkatërruar Serbinë”- thuhet në reagim.
Nga ana tjetër Vuçiç tha se së shpejti do të ftojë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI) dhe gjithashtu Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB) për të hetuar pretendimet.
“Është e rëndësishme që historia të shohë se si ata gënjyen,” tha ai, duke iu referuar atyre që pretendojnë se u përdor arma zanore.
Zyrtarët serbë kanë pranuar në mënyrë të tërthortë se policia kishte shtuar armën e kontrollit të turmave në arsenalin e saj rreth dy vjet më parë, por këmbëngulin se ajo nuk u përdor gjatë protestës së së shtunës. Versus.al








