
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit pak ditë pasi të shpallë zgjedhjet parlamentare, duke lënë të hapur mundësinë për të garuar për postin e kryeministrit.
Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç deklaroi se fillimisht do të përmbushë detyrimin kushtetues për shpalljen e zgjedhjeve dhe më pas do të largohet nga presidenca.
“Duhet që, në cilësinë e presidentit të Republikës, të shpall zgjedhjet parlamentare, më pas do të kalojnë disa ditë dhe do të jap dorëheqje”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit serb tha se, nëse bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij do ta propozojnë për kryeministër, ai do ta zhvillojë fushatën elektorale jo si president, por si një qytetar i zakonshëm.
“Dua të tregoj se mund të kem të njëjtat kushte si të gjithë të tjerët, të luftoj dhe të fitoj”, deklaroi Vuçiç.
I pyetur nëse ndihet i lodhur pas viteve në pushtet, presidenti serb pranoi se ka kaluar një periudhë të vështirë, por theksoi se nuk i mungon energjia për një tjetër sfidë politike.
Ai u ndal edhe te jeta personale, duke thënë se ndien përgjegjësi ndaj fëmijëve të tij dhe se përvojat e fundit e kanë ndryshuar emocionalisht.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk jam lodhur fare, por do të gënjeja edhe nëse do të thosha se nuk kam më energji. Kam përgjegjësi ndaj fëmijëve të mi dhe kjo më ka ndryshuar”, tha Vuçiç.
Deklarata e tij sinjalizon një lëvizje të rëndësishme në skenën politike serbe, pasi dorëheqja nga posti i presidentit do t’i hapte rrugën rikthimit të tij në ekzekutiv, në rast se do të marrë mbështetjen për të kandiduar si kryeministër./Versus.al

