Një zjarr i fuqishëm përfshiu pasditen e së shtunës zonën turistike të Belekut, në provincën jugore të Antalyas, Turqi. Flakët shpërthyen pranë pyjeve dhe u përhapën me shpejtësi drejt vijës bregdetare, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e menjëhershëm të hoteleve, përfshirë edhe një resort luksoz shumë të frekuentuar nga turistët ndërkombëtarë.
Sipas mediave vendase si Antalya Hakkında dhe raportimeve të portaleve ndërkombëtare, zjarri u përhap nga fshati Kadriye drejt kompleksit turistik “Titanic Deluxe Golf Belek”, ku preku ambiente ndihmëse dhe restorante, pa arritur të dëmtojë strukturën kryesore të hotelit. Turistët, pas një evakuimi dramatik natën, janë rikthyer në ambientet e akomodimit vetëm pas stabilizimit të situatës.
View this post on Instagram
800 zjarrfikës, avionë dhe helikopterë në terren
Operacioni për shuarjen e flakëve ka mobilizuar të gjitha kapacitetet emergjente të rajonit: 800 zjarrfikës, 14 avionë zjarrfikës dhe 20 helikopterë janë angazhuar në një betejë intensive për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Era e fortë, e cila ndryshon drejtim në mënyrë të papritur, ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka vështirësuar ndjeshëm kontrollin e frontit të flakëve dhe ka bërë që zjarri të përhapet në më shumë se një drejtim – përfshirë edhe drejt zonave me sera luleshtrydhesh dhe prona bregdetare.
Zonat turistike në alarm
Autoritetet turke mbeten në gjendje gatishmërie, ndërsa evakuimet vijojnë në disa rezidenca dhe njësi turistike në perimetrin e rrezikut. Megjithatë, sipas Ministrit të Pylltarisë dhe Bujqësisë, İbrahim Yumaklı, fronti kryesor në Belek është vënë nën kontroll, ndërsa përpjekjet për shuarjen e zjarreve të tjera në rajon vijojnë me intensitet.







