POLITIKË /

“Problem votuesit në Shqipëri, e jo më emigrantët”, Celibashi për votën e Diasporës: Vështirë pjesa e informimit

Celibashi u shpreh i bindur se janë marrë masat që partitë politike të mos kenë pretendime në procesin e votimit të diasporës.

Shkruar nga Versus
“Problem votuesit në Shqipëri, e jo më
Celibashi në seancën dëgjimore në nënkomisionin për Migracionin

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka qenë sot i pranishëm në mbledhjen e nënkomisionit për migracionin ku u zhvillua seanca dëgjimore për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai foli për projektligjin e PS lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke u përqendruar tek mundësia e realizimit të votës së Diasporës.

Celibashi tha se është ngritur një strukturë që do të merret vetëm me informimin dhe ndërgjegjësimin e emigrantëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, duke theksuar se do të jetë një proces shumë i vështirë, duke marrë shembull vështirësinë për informimin e shqiptarëve që votojnë nga brenda vendit.

“Ajo që ne kemi patur mundësi të bëjmë është ndërtimi i një strukture administrative për ndërgjegjësimin për këtë kategori votuesish. Kemi gati një sektor të dedikuar me fushë të vetë të përgjegjësisë projektet që lidhen me ndërgjegjësimin dhe informimin e votuesve nga jashtë. Ky është një proces shumë i vështirë, kemi probleme për votuesit që jetojnë brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa informimi i votuesve nga jashtë do të jetë shumë më i vështirë për ne. Kemi shumë pak kohë në dispozicion, port ë paktën të mundësojmë votimin e atyre votuesve që kanë interes të votojnë”- tha Celibashi.

Më tej kryekomisioneri zgjedhor tha se palët politike nuk do të kenë hapësira apo pretekste për të kontestuar rezultatin e votimit nga Diaspora pasi do të ketë transparencë të plotë.

“Ne do ofrojmë gjithë transparencën e duhur, palët nuk do kenë pretekste për të kontestuar procesin e votimit nga jashtë. Koha në dispozicion është shumë e paktë por jemi përgatitur për t;ju përgjigjur sa më mirë sfidave në aspektin teknik”- shtoi ai.

Projektligji me ndryshimet në kodin zgjedhor pritet të kalohet në Kuvend për t’u votuar në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar që do të nisë të enjten dhe pritet të zgjasë deri të premten. Versus.al

Poll