Enzo Maresca do të jetë trajneri i ri i Chelsea. Italiani 44-vjeçar pason Mauricio Pochettino në krye të pankinës së “Bluve të Londrës”, duke braktisur Leicester, pasi i ngjiti “Dhelprat” në Premier League duke fituar kampionatin.
Maresca ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare me opsion rinovimi për 12 muaj të tjerë dhe rezulton se ka qenë zgjedhja numër një e Chelsea nga një listë e ngushtë me teknikë, që përfshinte emra si Thomas Frank i Brentford, Kieran McKenna i Ipswich dhe Roberto De Zerbi, i cili u largua nga Brighton në fund të këtij sezoni.
Chelsea mendohet se ka paguar midis 8 dhe 10 milionë paund për të liruar Mareskën nga kontrata e tij me Leicester.
"Ne jemi të kënaqur të mirëpresim Enzo-n te Chelsea. Ai e ka dëshmuar veten si një trajner i shkëlqyer, i aftë për të dhënë rezultate mbresëlënëse me një stil emocionues dhe të identifikueshëm. Enzo na ka impresionuar thellë në diskutimet tona që çuan në emërimin e tij. Ambiciet e tij dhe etika e punës janë në përputhje me ato të klubit. Ne mezi presim të punojmë me të”, thuhet në një deklaratë të bashkëdrejtorëve sportivë të Chelsea, Laurence Stewart dhe Paul Winstanley.
Ndërkohë vetë Maresca tha: “Të bashkohesh me Chelsean, një nga klubet më të mëdha në botë, është një ëndërr për çdo trajner. Kjo është arsyeja pse unë jam kaq i emocionuar nga kjo mundësi.







