POLITIKË /

“Diaspora”, Bledi Çuçi zbulon ku do të numërohen votat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit

Opozita dhe PS duket se kanë arritur një konsensus për ndryshimet në Kodin e ri zgjedhor që pritet të votohen në seancën plenare që Kuvendi do mbajë të enjten dhe të premten.

Shkruar nga Versus
“Diaspora”, Bledi Çuçi zbulon ku do të
Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi

Votat e emigrantëve shqiptarë do të numërohen në ambientet e KQZ sipas qarqeve ku janë rezidentë. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi lidhur me detajet e votës së diasporës në projektligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Çuçi tha se sa i takon detajeve për mënyrën sesi do të realizohet vota e diasporës, janë pranë një konsensusi me deputetët e opozitës gjatë diskutimeve që kanë patur në grupin e dialogut politik.

“Grupi i dialogut ka pasur diskutime. Me gjithë diferencat që kemi patur me opozitën lidhur me sistemin që do përdorim për adresimin e të drejtës së emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, më vjen mirë t’ju them se po gjejmë një dakordësi për këtë çështje. Draftin tonë e kemi bërë publik dhe sa i takon votës së diasporës formula jonë është e qartë, do votohet me postë, me postën shqiptare apo me postën të caktuar nga vetë KQZ. Do duhet një adresë e saktë e emigrantëve pasi do dërgohet zarfi tek personi. Vota do numërohet aty ku ka rezidencë në Shqipëri, emigranti shqiptar. Këtu kemi pasur konsensus me opozitën. Besoj se jo vetëm emigrantët që nuk janë të legalizuar, besoj do arrijmë në një variant të përbashkët lidhur me këtë gjë”- tha Çuçi.

Më tej ai bëri me dije se përsa i takon formulës së herësit për kandidatët që do garojnë në listat për deputetë, po vijojnë negociatat me opozitën dhe nëse ka një konsensus, do të votohet projektligji që do të paraqitet të premten në Kuvend.

“Lidhur me herësin ka pasur diskutime me qëllim arritjen e konsensusit, por të gjitha do shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën e Kushtetutës. Vazhdojnë negociatat edhe në këto orë, ka mbledhje komisioni i Ligjeve ku do adresohen përfundimet që kanë pasur nga këto diskutime me shpresë që të ketë konsensus. Do ezaurojmë diskutimet brenda komisionit të ligjeve dhe nëse e ezaurojmë e fusim në seancën e së premtes”- u shpreh më tej kreu i grupit parlamentar të PS.

Më herët, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se do të merren të gjitha masat në mënyrë që forcat politike të mos kenë asnjë pretendim lidhur me shkelje gjatë procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Projektligji me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pritet të hidhet për votim në seancën plenare që nis nesër në Kuvend dhe do shtrihet edhe përgjatë të premtes. Versus.al

Poll