Kampi i pritjes së emigrantëve në Gjadër është gati për të hapur dyert të martën (20 gusht) ku do të mbërrijë kontigjenti i parë prej 500 burrash përfshirë policinë, karabinierët dhe policinë financiare, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë.
Ndërsa më 1 shtator pritet që kampi të hapet plotësisht pas vendimit të Ministrisë së Brendshme.
Sipas mediave italiane policëve italianë që do të mbikqyrin kampet në Shëngjin dhe Gjadër iu është dorëzuar një manual sjelljeje.
Në këtë manualin , në mes të tjerave u është kërkuar policëve italian që të vishen në mënyrë sa më të matur dhe të mos flasin me gratë e vendasve për të shmangur ndonjë tension të mundshëm.
Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.
Sipas marrëveshjes së firmosur më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni, Shqipëria do të strehojë emigrantët e ardhur nga Afrika për t’i ardhur në ndihmë Italisë ndërkohë që shqyrtohet kërkesa e tyre për azil në shtetin italian.
Në rast të pranimit të kërkesës së tyre, do të dërgohen në Itali, në të kundërt duhet të deportohen në Afrikë.
Marrëveshja ka një afat 5 vjeçar dhe pritet që gjatë këtij afati, dy qendrat e grumbullimit të emigrantëve të mos e kalojnë shifrën prej 3 mijë personash çdo muaj, duke e çuar kapacitetin e tyre total në 36 mijë emigrantë në vit.
Nga kjo marrëveshje Shqipëria nuk ka asnjë përfitim dhe vetë Rama ka deklaruar se këtë po e bën vetëm për të ndihmuar Italinë pavarësisht akuzave të bëra nga televizioni italian "RAI3"./Versus.al







