I shumëkërkuari Dritan Rexhepi, shqiptari i njohur si kreu i një karteli droge që trafikon kokainë nga Ekuadori drejt Europës, pritet të ekstradohet sot nga Turqia për në Shqipëri.
Në shtetin tonë, Dritan alias Gramoz Rexhepi është shpallur në kërkim edhe për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. “Baroni’ i drogës u arrestua në Turqi në nëntor të vitit 2023. Aktualisht në Shqipëri po zhvillohet një gjyq në mungesë në ngarkim të tij lidhur me zhdukjen e Jan Prengës.
Për vrasjen e zhdukjen e Jan Prengës është shpallur në kërkim edhe Altin Hajri, kreu i klanit “Hajri”. Dyshohet se shkak për krimin e rëndë është bërë humbja e një ngarkese kokaine nga ana e Jan Prengës në Britani të Madhe.
I konsideruar si “mbret” i trafikut të drogës, Dritan Rexhepi kërkohet gjithashtu edhe nga Italia dhe shtete të tjera europiane ku ka arritur të fusë ngarkesa me kokainë. Ai arriti të ndërtonte partneritete strategjike me drejtuesit e bandës më të fuqishme të Ekuadorit, “Los Choneros” të cilët punonin për kartelin Sinaloa në Meksikë.
Kjo bëri që Dritan Rexhepi të krijonte lidhje trafiku droge si me trafikantët e Amerikës së Jugut, po ashtu edhe me krerët e bandave në të gjithë Evropën. Versus.al







