Durrës- Gjykata ka lënë në burg 3 prej 5 zyrtarëve të bashkisë Rrogozhinë të arrestuar ditë më parë nën akuzën se kishin abuzuar me fondet e caktuara për rindërtimin pas tërmetit të nëntorit 2019.
Në burg janë lënë, Besim Ballabani, Elton Levonja dhe Mario Meka, ndërsa janë liruar nga qelia, Xhemile Uku dhe Edlira Ramaj. Për këto dy të fundit, gjykata pati një arsyetim lidhur me lirimin nga qelia. Edlira Ramaj është liruar nga qelia pasi është nënë e një fëmije nën 1 vjeç duke u caktuar 'detyrim paraqitje' për të, ndërsa Uku e cila ka nën kujdestari prindërit e saj, u la në arrest shtëpie.
Zyrtarët akuzohen se klasifikuan 78 kasolle që përdoreshin për lopët dhe bagëtitë, si godina që duheshin rikonstruktuar nga e para, duke i shkaktuar kështu buxhetit të shtetit një dëm prej 353 milionë lekësh. Ata po hetohen nën akuzat e mashtrimit, falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Nën hetim për këtë çështje, janë edhe 78 qytetarë të tjerë të cilët dyshohet se bashkëpunuan me zyrtarët për shkeljet në fjalë. Versus.al







