
Gjykata e Elbasanit ka dënuar sot në mungesë me 17 vite burg Erjon Llapushin për vrasjen me dashje të kamerierit Gazment Kumurakut në restorantin ‘Fish City’ në Labinot të Elbasanit.
Ngjarja i referohet datës 02.10.2021, ku pas një konflikt në ambientet e subjektit, Llapushi ka goditur me grusht Kumurakun për pasojë, viktima ra në koma dhe disa ditë më vonë humbi dhe jetën.
Ndërsa ditë më parë Llapushi ishte shënjestra e operacionit të zhvilluar në Pogradec nga RENEA dhe Forcat Operacionale.
I shumëkërkuari nuk u gjet në banesë ndërsa RENEA ushtroi kontroll të imtësishëm në shtëpinë e tij.
Gjithashtu Erjon Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”.
Llapushi njihet si person mjaft problematik dhe shqetësues për Policinë e Korçës dhe Pogradecit, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve të zakonshme të tij me persona të ndryshëm./Versus.al







