AKTUALITET /

I mbaron mandati në Kushtetuese, kryetarja Holta Zaçaj çon çështjen në Venecia: Jam në detyrë deri në fund të 2025-ës

Zaçaj ka deklaruar në reagimin e saj se do të ushtrojë mandatin sipas përgjigjes që do të marrë nga Komisioni i Venecias.

Shkruar nga Versus

I mbaron mandati në Kushtetuese, kryetarja Holta Zaçaj çon

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka deklaruar se nuk do të largohet nga posti që mban deri në përfundim të mandatit të saj, i cili sipas gjyqtares zgjat deri në fund të vitit 2025 dhe jo deri në mars.

Reagimi vjen në ditën kur gjykata duhej të shpallte vakancën për vendin e Zaçajt në institucion. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, bëhet me dije se për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion të pavarur.

Institucioni qëndroi i paplotësuar për 6 vite deri në 25 janar të 2023-it kur Holta Zaçaj mori mandatin si përfaqësuese e Gjykatës së Lartë. Në argumentin e dhënë thuhet se nuk ka pasur një afat të caktuar për përfundimin e mandatit të saj dhe se për këtë si afat fundor mund të konsiderohet fundi i vitit 2025.

Reagimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese:

Duke marrë shkas nga disa artikuj në media në lidhje me deklarimin e përfundimit të mandatit tim si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, në konsideratë të përgjegjësive që më njeh ligji si Kryetare, për paraqitjen e kërkesës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në vlerësimin tim, situata në lidhje me kohëzgjatjen e këtij mandati paraqitet si vijon:

Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017.

Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3, i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025.

Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 2, datë 16.01.2023 ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.”.

Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.

Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues.

Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues.

Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese.

Pavarësisht sa më sipër, duke marrë parasysh rëndësinë e parimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, marrë shkas nga ky rast por edhe, eventualisht, për të paraprirë situata të ngjashme në të ardhmen, kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.

Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik.

Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve.

Ashtu siç është theksuar edhe në jurisprudencën kushtetuese: “Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese. Edhe pse mandati i gjyqtarit kushtetues ka kuptimin e një mandati të dhënë (jo të fituar nëpërmjet votës së zgjedhësve aktivë), parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë”. (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 09.06.2011, paragrafi 31).

Gjykata Kushtetuese ka në duar dosje mjaft të rëndësishme si ajo e kërkesës së bërë nga të arrestuarit e grupeve kriminale, të cilët pretendojnë për shpallejn të paligjshme të përgjimeve të SkyECC. Versus.al

Poll