Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama për të tretën ditë radhazi ka vijuar me kritikat ndaj SPAK e GJKKO lidhur me arrestimin dhe hetimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. *Ai tha se provat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të arrestuar Veliajn dhe se një kryetar i zgjedhur nga populli nuk duhet të ishte arrestuar pa gjyq sepse bashkia më e madhe e vendit ka mbetur pa një drejtues që duhet të kryejë punët e përditshme. *Më tej ai tha se kritikat ndaj SPAK nuk janë sulme dhe përpjekje për të ndikuar prokurorët dhe se pa PS-në këto organe të posaçme nuk do të kishin ekzistuar.
“Mish për top është Veliaj?”, Rama kritika SPAK dhe GJKKO: Kush do e drejtojë Tiranën?
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me kritikat ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai tha se nuk është normale që kryebashkiaku i qytetit më të madh të arrestohet ndërkohë që është i zgjedhur nga populli.
Sipas Ramës, duhet që GJKKO të vendosë ekuilibrat pavarësisht kërkesave të bëra nga SPAK.
“Harrojeni politikën për një moment, le të hyjmë në territorin e odës ku mblidhen burrat dhe gratë. Pavarësisht prirjeve që kanë, merren me një çështje për t’i vënë pikat mbi i. A ju duket normale që një kryetar bashkie në detyrë të merret nga zyra dhe të çohet në burg pa gjyq sepse prokuroria ka dyshime. Se pastaj vjen pika tjetër, si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK-ut kur ngre një problem kaq parimor.
Çfarë janë të zgjedhurit me votë? Mish për top janë këta? Për një pushtet që ndihet kaq i fuqishëm deri në pikën sa të ndërpresë kontratën e një kryetari të zgjedhur me zgjedhësit, pa nxjerrë njëherë të gjitha provat. Po kush e drejton tani bashkinë e Tiranës, kush do i bëjë një mijë e një punët për të cilat qytetarët kanë zgjedhur kryetar bashkie. Dikush njëherë ka thënë prokurori ka të drejtë dhe të çmendet, por gjykata e mban peshën dhe ekuilibrin mes palëve. Këtu na është bërë gjykata si stërspeciale që rrit peshën e dënimit paraprak pa e gjykuar fare”- deklaroi kryeministri. Versus.al
KLGJ mbrojti SPAK-un, Rama: Mirë që ua dëgjova zërin, kanë gjithë ato punonjës
Pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi në mbrojtje të SPAK për shkak të kritikave që kryeministri bëri ditën e djeshme, Rama ka reaguar sot duke i përmendur KLGJ-së numrin e punonjësve.
Ndërsa theksoi se Këshilli i Europës ka pasur kritika për numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, duke e vënë theksin tek Veliaj dhe jo tek njerëzit e thjeshtë të arrestuar.
“Ata që dalin atje, Këshilli i Lartë Gjyqësor që më vjen mirë njëherë që u dëgjova zërin. Që kanë këtu një numër punonjësish të rritur në 594 punonjësish. Numri i përgjithshëm i punonjësve ka shkuar në … duhet të marr shifrën e saktë por është mbi 2 mijë veta.
Mirë bëjnë ata që flasin, trysnia.. po çfarë thashë unë? Këshilli i Evropës ka thënë regjistrimet audiovizuale të intervistave të personave që pyeten përbëjnë një mbrojtje të rëndësishme kundër keqtrajtimit, intimidimit. Në princip ato duhet të mbulojnë fazat e pyetjes së personave. Komiteti për parandalimin e torturës e inkurajon Shqipërinë të shtrijë regjistrimin audiovisual për të gjithë personat e ndaluar”- u shpreh Rama. Versus.al
“Pa mua dhe PS nuk ka SPAK”, Rama për kritikat ndaj prokurorëve: Në dosje s’ka prova kundër Veliajt
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me kritikat e vazhdueshme ndaj SPAK dhe GJKKO për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Përkundër komenteve se tashmë ai vetë ka ndryshuar qëndrim dhe është vënë në sulm ndaj SPAK-ut Rama tha se për shkak të tij dhe PS ky organ ekiston.
Ndërsa pretendoi se në dosjen e SPAK, nuk ka prova konkrete të mjaftueshme për ta arrestuar Erion Veliajn. Një kritikë e pati edhe për partitë e reja, duke thënë se gabohen nëse mendojnë se do përfitojnë në rrugën politike vetëm nga arrestimet që po bën SPAK.
"Të gjithë ata që kanë vënë kujën çpati Edi Rama, iu vërsul SPAK-ut. Nëse nuk mbron Ramën dhe PS në betejën e tij, harrojeni SPAK-un. Nuk do të kishte. Sepse bufi i kënetës e thotë haptas, më jepni votën të shkrij SPAK-un. Nuk besoj se i shkon njeriu në mendje se SPAK-un nëse nuk e garanton kjo kocka këtu, nuk mund ta garantojnë ata partiçkat që kanë të njëjtën metodë dhe sjellje si bufi i kënetës dhe janë si mrroklla të vogla. Mendojnë se SPAK-u do heqë qafe kundërshtarët dhe këta do rriten.
Nuk jam unë që kontestoj ndonjë provë duke iu kunvërvënë SPAK-ut, por statusi i Erionit si person i dyshuar dhe jo i pandehur. Në këtë pikë qëndrimi ynë nuk ndryshon, kam qenë i qartë. Në gjithë atë dosje deri më tani nuk ka një paragraf të vetëm ku ka një provë sado të vogël që tregon se kryetari i bashkisë ka kryer veprime të kundraligjshme"- tha Rama. Versus.al








