Çfarë do të gjeni në brendësi
*Protestuesit e Partisë Demokratike kanë ndjekur të njëjtin skenar në protestën e 12-të para bashkisë Tiranë ku kërkojnë dorëheqjen e Erion Veliajt. *Bombat molotov drejt godinës, djegia e gomave dhe përplasje me forcat e policisë, ka qenë strategjia e ndjekur edhe këtë herë në protestën ku pati të përfshirë edhe deputetë demokratë. *Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati u përplasën me efektivët e policisë dhe ndaj tyre u përdor gaz lotsjellës, ndërsa ish-deputeti Klevis Balliu u rrëzua në tokë. *Në përfundim të protestës, policia shoqëroi në komisariat 5 persona nën akuzën e hedhjes së lëndës plasëse molotov para godinës duke rrezikuar jetën e efektivëve të policisë.
VIDEO/ 'Do t’i q* robt', deputetët përplasen me policinë, Balliu rrëzohet në tokë

Tiranë- Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati janë përfshirë në përplasjen me policinë gjatë protestës para bashkisë së Tiranës.
Teksa u kërkonin llogari policëve, ndaj Bardhit dhe Nallbatit është lëshuar gaz lotsjellës ndërsa në shtyrjen mes protestuesve dhe efektivëve, është rrëzuar në tokë ish-deputeti Klevis Balliu i cili gjatë gjithë protestës tentoi të hynte në bashki duke hequr kordonin e policisë.
Protesta e radhës është planifikuar të mbahet të premten e ardhshme.
Kjo e sotmja ishte protesta e 12-të e opozitës e cila prej javësh ka bojkotuar mbledhjet e këshillit bashkiak dhe kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj duke e akuzuar këtë të fundit si të përfshirë në skemën "5D" për të cilën SPAK-u arrestoi 5 drejtorë të bashkisë nën akuzën se kanë përvetësuar tendera publikë për kompanitë e tyre private. Versus.al
Djegie gomash dhe përplasje me policinë, protestuesve "u prin" Balliu, tentojnë të hyjnë në bashki

Ashtu si në protestat e kaluara, edhe sot protestuesit e opozitës para bashkisë Tiranë u kanë vënë flakën gomave dhe kanë tentuar të hyjnë në bashki duke u përplasur me policinë.
Në krye të tyre shihet ish-deputeti Klevis Balliu. Policia ka përdorur gaz lotsjelljës ndaj tij dhe protestuesve të tjerë të cilët tentojnë të hyjnë në bashki.
Protesta e 12-të e opozitës përballë bashkisë Tiranë, policia merr masat dhe bën thirrje kundër dhunës

Tiranë- Sot Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë zhvillojnë protestën e 12-të përballë bashkisë së kryeqytetit ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ashtu si në protestat e mëparshme, policia ka publikuar planin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e tubimit, duke bërë thirrje që të pranishmit në protestë të distancohen nga dhuna dhe përplasjet me policinë apo hedhja e lëndëve molotov drejt institucionit.
Duke nisur nga ora 09:30, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë protestave të mëparshme protestuesit kanë hedhur edhe sende të forta e bomba molotov ndaj policisë dhe bashkisë Tiranë. Protesta e tyre disa javore, ka qëllim kryesor dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të disa drejtorëve të bashkisë të cilët rezultuan të përfshirë në përvetësimin e tenderave publikë nëpërmjet kompanive që kishin krijuar. Versus.al







