Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i qeverisë Edi Rama ka vijuar sot me turin e prezantimeve të ministrave të rinj për mandatin e ardhshëm nëpër dikasteret e tyre përkatëse. Fillimisht ishte i pranishëm në QSUT ku në prani të mjekëve dhe profesionistëve të fushës, prezantoi Evis Salën si ministren e re të Shëndetësisë. *Teksa rendi disa prioritete për këtë fushë gjatë mandatit të 4, Rama tha se ka objektivi kryesor është integrimi i Inteligjencës Artificiale në sistemin shëndetësor si dhe përmendi hapjen e një universiteti të ri mjekësie në Fier ku të krijohet një qendër ekselence. *Nga ana tjetër, ministrja Sala e cilësoi “të palejueshme” faktin që në spitalin Onkologjik nuk ka rimbursime ilaçesh për pacientët me kancer dhe premtoi të përqendrohet në këtë pjesë. Ndërsa tha se një tjetër objektiv i saj është krijimi i kushteve që mjekët shqiptarë të mos zgjedhin të largohen më jashtë, por të japin kontributin e tyre në vendin tonë duke u ndjerë të vlerësuar. *Prezantimi i radhës i Ramës ishte Besfort Lamallari në krye të ministrisë së Drejtësisë si pasues i Ulsi Manjës. Kreu i qeverisë tha se ky dikaster është themelor në ecurinë e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa nënvizoi domsdoshmërinë për të zgjidhur sa më shpejt mbivendosjen e ligjeve. *Në të dyja prezantimet, Rama u përqendrua tek ministrja virtuale “Diella” duke thënë se ministrja virtuale ka tërhequr vëmendje në gjithë botën dhe se kjo vëmendje duhet përdorur në favor të vendit.
"Ai që do ta bëjë vetë, thotë do vjedhi Diella", Rama: Së shpejti më shumë ministra virtualë në qeveri
Teksa prezantoi Besfort Lamallarin si ministër të ri të Drejtësisë, kryeministri Edi Rama foli sërish për kritikat që i janë bërë për ministren virtuale “Diella” që shumë opozitarë e kanë konsideruar si “çmenduri” dhe “provokim” nga ana e kreut të qeverisë.
Rama tha se së shpejti do të ketë më shumë ministra virtualë në qeveri. Ndërsa atyre që aludojnë për vjedhjen e fondeve publike, Rama iu përgjigj duke thënë se vetëm një njeri që vjedh vetë mendon gjëra të tilla.
“Thonë çfarë është kjo çmenduri. Unë mendoj se në një kohë shumë të shkurtër nga sa mendojmë, ministrat jo njeri nëpër qeveri do të jenë një realitet. Do të vijë shumë shpejt. Ne mund ta bëjmë dhe mund të jemi të shpejtë e kurajozë në proceset që lidhen me Inteligjencën Artificiale, për të arritur të jemi sa më performues. Diskutojnë sot sesi do vjedhi Diella. Sepse kur je hajdut, aty të shkon mendja, si do ta vjedhi ai tjetri atë gjënë që donte ta vidhte vetë. Si mund t’i shkojë mendja një njeriu normal sesi do vjedhë Diella. Ndërkohë që ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë”- tha kreu i qeverisë.
Më tej shpjegoi sesi do të funksionojë Diella dhe e përmbylli duke thënë se në të ardhmen Diella mund të prodhojë edhe ndihmësit e vetë virtualë.
“Çfarë ndodh me tenderat? Në dy faza procesi ka dobësi që i shfrytëzon korrupsioni. Faza e parë janë termat e referencës që mund të bëhen të orientuar siç ishte një tender epik para se ne të merrnim detyrën në 2013-ën ku ishte vënë kriter që për të bërë tunel të ketë eksperiencë edhe në sisteme muzikore, në foni. Tuneli i shkon dikujt që ka instaluar foninë në një miting.
Dokumentet që i mbledhin kompanitë lart e poshtë për t’u regjistruar në një tender, janë të dhëna publike, sa makineri ka sa punonjës ka. Diella do t’i mbledhë vetë, nuk ka nevojë të shkojnë njerëz lart e poshtë. Termat e referencës në mënyrë të barabartë, dokumentacioni mblidhet njësoj për të gjithë dhe në fund është oferta. Do të duhen disa bashkëpunëtorë të tjerë të Diellës, jo njerëz, të cilët Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”- shtoi Rama. Versus.al
“Frika ime ishte se do linim nam”, Rama për hapjen e negociatave: U surprizuam nga BE
Pas prezantimit të Evis Salës në ministrinë e Shëndetësisë, kreu i qeverisë Edi Rama ishte i pranishëm edhe në prezantimin e Besfort Lamallarit në krye të ministrisë së Drejtësisë. Rama u shpreh i bindur se Lamallari do të çojë përpara punën e bërë deri më tani në këtë dikaster, ndërsa theksoi peshën e madhe që ka kjo ministri sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Duke u ndalur tek kjo pikë, Rama tha se fillimisht edhe ai ishte skeptik dhe i pasigurt për atë çfarë e priste vendin pas hapjes së negociatave me vështirësitë e kalimit të fazave të caktuara, por theksoi se u surprizua kur pa që puna e administratës publike u duatrokit në Bruksel.
“Duke marrë duartrokitje nga Brukseli kjo ishte një surprizë e mirëpritur. Frika ime më e madhe ishte çfarë do bëjmë ne kur të hapen negociatat se do lëmë nam. Që do të thotë që edhe unë personalisht isha i influencuar nga thashethemnaja e përditshme dhe marrja nëpër gojë e fjalët e pamerituara që qarkullojnë pa pushim nëpër gjithë kanalet e infektuara të informacionit për administratën tonë. Patjetër që administrata jonë ka probleme, por që administrata jonë e nivelit të parë të dilte nga një proces ku ka patur vende që nuk kanë dalë mirë, të dilte me duartrokitje kjo është një arsye shumë e fortë për t’u ndierë të motivuar dhe për të patur bindjen se mund të bëjmë shumë më tepër e më mirë”- tha Rama. Versus.al
“Gjithë bota flet për Diellën”, Rama: Çdo ditë kam ftesa për intervista, ta përdorim edhe për të tërhequr mjekë të huaj
Teksa prezantoi ministren e re të Shëndetësisë, Evis Salën, Rama nuk ‘rezistoi’ dot pa e përmendur sërish ministren virtuale të vendit “Diellën”.
Ai tha se falë këtij vendimi për ta futur në qeveri, e gjithë bota po e komenton këtë gjë dhe se ka patur ftesa të shumta për intervista në shtete të ndryshme të Evropës. Sipas tij, kjo e bën vendin interesant dhe shtoi se Shqipëria duhet ta përdorë këtë gjë për të tërhequr drejt vetes edhe mjekë të huaj.
“Tërheqja ndaj Shqipërisë sot është edhe më e madhe. Madje është rritur edhe më shumë së fundmi sepse pavarësisht se çfarë thuhet këtu, gjithë bota rri e merret me ministren tonë jo njeri. Kjo në thelb e bën shumë tërheqës vendin si vend që ka arritur të ketë një ministër jo njeri dhe ku ambicia është e madhe dhe hapja ndaj teknologjisë është e plotë.
Çdo ditë kam nga 3-4 ftesa për intervista nga mediat e Evropës për të shpjeguar këtë fenomen. Ashtu edhe tek profesionistët është fomuar ky interes. Nuk duhet të shohim asnjë limit në ambicie. Duhet ta shohim të arsyeshme që këtu të tërheqim edhe mjekë të huaj”- u shpreh Rama. Versus.al
“Duhet të mbyllim ikjen e mjekëve”, Sala: E palejueshme që të mos rimbursohen barnat e të sëmurëve me kancer

Në fjalimin e saj të parë si ministre e Shëndetësisë gjatë prezantimit në QSUT, Evis Sala vendosi disa objektiva që synon t’i arrijë përgjatë mandatit të saj. një prej tyre, është edhe rimbursimi i plotë i barnave për të sëmurët me kancer në spitalin Onkologjik. Këtë e konsideroi si sfidë personale duke qenë se edhe karrierën e saj e ka nisur në këtë spital.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të barnave onkologjike. Është e palejueshme për ne si vend europian dhe vend që do të futemi në BE që barnat onkologjike të mos jenë plotësisht të rimbursueshme për pacientë të kancerit. Kjo është diçka personale për mua, sfidë jo vetëm e detyrës sepse kam filluar këtu si mjeke në spitalin Onkologjik.
Shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues sepse do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin nëpër spitale. Nuk mundet që spitali të jetë i mbingarkuar. Diagnostika ka përparuar shumë, është fushë që unë e njoh mirë, fushë që bëri revolucionin e parë në mjekësi kaloi nga analogu në digjital dhe me Inteligjencën Artificiale mund të bëhet një hap shumë i madh”- tha Sala.
Sa i takon emigrimit të mjekëve, Sala u shpreh se duhet të krijohen të gjitha mundësitë që mjekët e rinj të ndihen të vlerësuar këtu dhe të mos zgjedhin të shërbejnë në vende të tjera para vendit të tyre.
“Nëse aftësia e mjekëve nuk është do t’i trajnojmë. Gjithashtu do të mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Fakultetet e universitetit në Shqipëri nxjerrin mjekë shumë të mirë. Nuk ka përse të ikë në ato vende të tjera. Duhet të vlerësohet edhe këtu njësoj. Kam pasion të vecantë për mësimdhënien e brezit të ri”- shtoi ministrja e re. Versus.al
"Do hapim universitet mjekësor në Fier", Rama prezanton ministren e Shëndetësisë; Ja çfarë synimesh kemi

Kreu i qeverisë, Edi Rama ishte sot i pranishëm në QSUT ku prezantoi ministren e re të Shëndetësisë, Evis Salën, duke nënvizuar arritjet e saj të mëdha në karrierën si mjeke në spitalet më prestigjoze të botës.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se në mandatin e parë të PS fokusi ishte në mbylljen e borxheve që sistemi i shëndetësisë kishte trashëguar gjatë qeverisjes së PD, ndërsa tha se mandat i dytë dhe i tretë ishte ai i ndërtimit të spitaleve dhe rritjes së pagave të mjekëve e infermierëve në nivel të afërt me vendet e rajonit.
“Në mandatin tonë të parë ne mbyllëm gropat e thella të borxheve të trashëguara të sistemit tonë shëndetësor. Në dy mandatet e tjera bëmë investime të qenësishme për të transformuar infrastrukturën e sistemit tonë shëndetësor ku ndërtuam spitale të reja dhe qindra e qindra qendra shëndetësore. Në mandatin e tretë rritëm pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i vendosur në nivel të afërt me rajonin”- u shpreh kryeministri.
Përsa i takon synimeve në sistemin e Shëndetësisë, Rama theksoi mes të tjerash se është planifikuar edhe ndërtimi i një universiteti të ri mjekësor në Fier.
“Kemi nisur një bashkëpunim të drejtëpërdrejtë për spitalin Onkologjik me një prej spitaleve më të mira të botës, Shiba të Izraelit. Duam të shkojmë më tutje me hapjen e një universiteti të ri mjekësor në Fier. Duam të ndërtojmë një spital ekselence që të ofrojë edhe shërbime si pikë referimi dhe të jetë në gjendje të përballojë kërkesat e larta gjatë sezonit veror. Jemi në diskutime për të lidhur një partneritet strategjik me një ndër kompanitë më të mirënjohura në fushën e Inteligjencës Artificiale në shërbim të shëndetësisë”- shtoi Rama. Versus.al







