Çfarë do të gjeni në brendësi
* Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për efektivin Erjon Goxhara. * Goxhara shprehu pendesë për plagosjen e inxhinierit e ERE-s Lorenc Kostës * Gjatë seancës efektivi i policisë deklaroi se kishte qenë në gjendje të rënduar psikologjike kur kreu krimin. * Në dëshminë e saj bashkëshortja e Erjon Goxharës e ka pranuar se kishte patur një raport intim me Lorenc Kostën por kjo kishte ndodhur vetëm njëherë dhe vite më parë * Gjatë dëshmisë Griselda Goxhara është shprehur se është dhunuar nga bashkëshorit derisa kishte pranuar tradhëtinë
Dëshmia e nipit të policit: Daja pasi zbuloi tradhëtinë, ka dashur të vrasë veten
Ditën që plagosi disa herë me armë zjarri Lorenc Kostën, ish-efektivi i forcave Shqiponja, Erjon Goxhara, është takuar me bashkëshorten e tij në një kafene në qytet, ku kanë biseduar për marrëdhënien mes tyre, pasi dyshonte se kjo e fundit e tradhtonte me inxhinierin e ERE-së.
Ka qenë nipi i Erjon Goxharas ai i cili ka zbuluar detaje nga takimi mes tyre, ndërsa është shprehur se daja i tij ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike pas zbulimit të tradhtisë bashkëshortore nga gruaja e tij, Griselda.
Beqiri ka deklaruar se Goxhara, pas mësimit për tradhtinë e gruas së tij, shpeshherë ka shprehur mendime se ka dashur të vrasë veten.
Ai ka treguar se Erjon Goxhara dhe Griselda janë takuar më 19 gusht 2024, ditën e ngjarjes, ku daja i tij donte që ajo të kërkonte falje, por ajo nuk e ka bërë.
“Më 19 gusht 2024, Goxhara dhe Griselda janë takuar në një lokal në hyrje të një qendre tregtare në kryeqytet, ku kanë pirë kafe dhe kanë diskutuar për të ardhmen e tyre. Goxhara ka kërkuar që Griselda të kërkonte falje për veprimet e saj, por kjo kërkesë nuk është plotësuar nga ana e saj. Gjatë këtij takimi, Goxhara ka tentuar ta godasë bashkëshorten, por është ndaluar nga nipi i tij.
Më pas, ky i fundit ka shoqëruar Griseldën në banesën e saj, ku ajo ka filluar të godasë veten me grushte në fytyrë, të gërvishtë dhe të qëllojë veten në pjesë të ndryshme të trupit” thuhet në dosjen hetimore.
Zbardhet dëshmia e bashkëshortes së Erjon Goxharës: Ka ndodhur vetëm një herë, më dhunoi derisa i tregova
Versus.al zbardh për herë të parë dëshminë e bashkëshortes së Erjon Goxharës, i cili plagosi me armë 45-vjeçarin në Tiranë, Lorenc Kosta.
Në dëshminë e saj Griselda Goxhara ka dekluar se fillimisht ka pasur marrëdhënie të mira, korrekte me bashkëshortin e saj me ulje dhe ngritjet e saj, si çdo çift tjetër.
Rreth një vit pasi kishte filluar punë si juriste, Entit Rregullator të Energjisë ka krijuar njohje dhe afrimitet me shtetasin Lorenc Kosta, të cilin e kishte në punë.
Ky i fundit kishte pëlqim dhe në një moment dobësie Griselda Goxhara deklaron se kam patur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta.
Dëshmia e Griselda Goxharës:
Kjo gjë ka ndodhur vetëm një here, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qënë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhëtoja. Fillimisht pretendimet e tij për tradhëti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhëtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhëtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta. Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do m’i falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflitki, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë.
Plagosi drejtuesin e ERE, Gjykata cakton masën e sigurisë për efektivin Erjon Goxhara
Gjykata e Tiranës ka lënë masën e sigurisë 'arrest me burg' për efektivin Erjon Goxhara pasi plagosi rëndë me armë zjarri shtetasin Lorenc Kosta, më 19 gusht në Tiranë.
Ai u akuzua për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, si edhe është nën akuzë për armëmbajtje pa leje.
Ky i fundit ka shprehur pendesë për veprimin që ka kryer në dëm të shtetasit Lorenc Kosta dhe ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe para Oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Avokatët kërkuan masë më të butë sigurie se arresti në burg me argumentin e tronditjes së rëndë psiqike.
Goxhara deklaroi gjithashtu dhe vetë në seancë se në momentin kur kishte qëlluar drejt Kostës kishte qenë në kushte të rënduara psikologjike.
Ndërkaq gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psiqike.
Deri në këto momente, Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Për këtë të dytën deri në momentin që do të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo./ Versus.al
VIDEO/ Plagosi rëndë inxhinierin e ERE, del sot në Gjykatë efektivi Erjon Goxhara

Efektivi i policisë së kufirit, Erjon Goxhara ka dalë sot në gjykatë për të marrë masën e sigurisë, pasi plagosi rëndë me plumba shtetasin Lorenc Kosta.
Erjon Goxhara është nën akuzën për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë.
Rikujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 19 gusht, në ‘Komunën e Parisit’, Tiranë, pasi gruaja e efektivit pranoi tradhëtinë bashkëshortore me Lorenc Kostën, koleg i kësaj të fundit.
Pas plagosjes Goxhara u arratis nga vendngjarja, por pas dy ditësh ai u vetëdorëzua në polici duke rrëfyer rrethanat e plota të ngjarjes.
/ Versus.al







