Çfarë do të gjeni në brendësi
*Vangjel Tavo i Partisë Socialiste është shpallur fitues i zgjedhjeve për kreun e bashkisë së Himarës. Numërimi përfundoi orët e para të ditës së sotme duke e nxjerrë Tavon fitues me 58.62% të votave kundrejt 41.38% të votave të marra nga kandidati i opozitës Petro Gjikuria. *Tavo reagoi pas shpalljes së rezultatit duke thënë se duhej që të niste menjëherë nga puna, ndërsa përsëriti ftesën ndaj Gjikurisë për të zënë vendin e nënkryetarit të bashkisë. *Më herët nga opozita pati kontestime të forta duke e konsideruar të gjithë procesin si “absurd”. 6 mijë votat e skaduara të ID dhe presionet ndaj zgjedhësve ishin alibitë e përmendura nga përfaqësues të opozitës, mes të cilëve Flamur Noka i cili nuk u kursye ta quante “masakër zgjedhore”. *Pas rezultatit, i pari nga radhët e PS reagoi kryeministri Edi Rama i cili e konsideroi një “fitore spektakolare” duke e uruar Tavon nëpërmjet një videoje të veçantë. *Nga pala e Gjikurisë, pati një reagim të OMONIAS nëpërmjet mediave greke ku e cilësonin rezultatin një “fitore të terrorizmit”. *Ndërsa kryetari i PD, Sali Berisha nëpërmjet një reagimi në facebook e konsideroi rezultatin si "vjedhja e radhës" duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në procesin zgjedhor duke shtuar numrin e listës së zgjedhësve.
Beleri shkruan letër nga burgu dhe njeh Vangjel Tavon kryebashkiak të Himarës, por ka një kërkesë
Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, është tashmë kryetari i ri i zgjedhur për të drejtuar bashkinë e Himarës.
E ndërsa opozita, me në krye Sali Berishën por dhe vetë kandidatin që ishte përballë Tavos, Petro Gjikuria, deklarojnë se “zgjedhjet u vodhën”, nga ana tjetër Fredi Beleri njeh rezultatin.
Nga burgu, ai i ka dërguar një letër kryetarit të ri të bashkisë, duke i kërkuar që në Himarë të ndërtojë edhe një gjimnaz në gjuhën greke.
“Kemi nevojë për ngritjen e një shkolle të mesme minoritare, diçka që e kërkojmë prej tre dekadash, që fëmijët tanë të mos shkulen nga rrënjët e tyre, ngritjen e një shkolle teknike turizmi në Himarë dhe investime të qëndrueshme e me intensitet të ulët, të cilat do të bashkëjetojnë dhe do të plotësojnë njëra-tjetrën me bizneset e vogla familjare vendase. Dhe, gati tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, përfundimisht, ne kërkojmë kthimin e titujve të pronësisë pronarëve të ligjshëm”, shkruan ai mes të tjerash.
“Rezultati i zgjedhjeve të djeshme lë një shije të hidhur, sepse duket se i bën padrejtësi betejës që ne himariotët kemi bërë gjithë këto vite për të marrë sërish në dorë fatin e vendit tonë.
Por nuk është kështu. Përkundrazi! Rezultati i djeshëm konfirmon edhe një herë se është e vështirë për njerëzit e një vendi të vogël të përballen me makinerinë e një shteti të tërë, ku vetë kryeministri linçon dhe përçan me forcën e pushtetit të pakontrolluar.
Fakti që ne patëm përsëri mbështetjen e atyre qytetarëve që na besuan para pesëmbëdhjetë muajsh, pavarësisht burgosjes time paligjshme dhe taktikave të shantazhimit, pavarësisht transferimit të votuesve të partisë socialiste, pavarësisht ndryshimit të rregullave në mënyrë që shumë nga bashkatdhetarët tanë të mos votojnë, e kështu me radhë shumë gjëra të tjera të vogla e të mëdha, tregon se himariotët nuk dorëzohen dhe do të vazhdojnë të luftojnë. Në fund të fundit, kjo është traditë e vendit tonë dhe ne do t’i qëndrojmë besnikë.
Dëshiroj të falënderoj dhe të shpreh krenarinë time për kontributin e secilit prej jush që mori pjesë në këtë betejë, edhe pse rezultati ishte i paracaktuar. Dëshiroj të falënderoj veçanërisht Petro Gjikurinë, i cili nuk ngurroi të linte Amerikën dhe erdhi për të dhënë kontributin e tij për Himarën.
Sot ka lindur një realitet i ri, por ne jemi mësuar të ecim në monopate të vështira. Himara, në historinë e saj, u ka bërë ballë kërcënimeve ekzistenciale shumë më të mëdha sesa kërcënimet e zotit Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dhe ne jemi ende këtu, duke ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Me një mijë e një vështirësi kemi arritur të parandalojmë tjetërsimin e plotë të popullsisë sonë dhe të mbrojmë pasuritë tona kundër krimit të organizuar, neglizhencës shtetërore dhe obsesioneve nacionaliste.
Por e gjithë kjo nuk do të kishte kuptim pa popullin tonë. Duhet ta mbajmë rininë në vendin tonë dhe Bashkia e Himarës të arrijë në një nivel të lartë ekonomik duke shfrytëzuar kapitalin gjigant të pasurisë sonë natyrore, me politika të qëndrueshme për zhvillimin e prodhimit vendas dhe turizmit. Me pak fjalë, kemi nevojë për ngritjen e një shkolle të mesme minoritare, diçka që e kërkojmë prej tre dekadash, që fëmijët tanë të mos shkulen nga rrënjët e tyre, ngritjen e një shkolle teknike turizmi në Himarë dhe investime të qëndrueshme e me intensitet të ulët, të cilat do të bashkëjetojnë dhe do të plotësojnë njëra-tjetrën me bizneset e vogla familjare vendase. Dhe, gati tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, përfundimisht, ne kërkojmë kthimin e titujve të pronësisë pronarëve të ligjshëm.
Kjo do të jetë busulla jonë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe masa që do të përcaktojë qëndrimin tonë ndaj Vangjel Tavos. Çfarëdo që është e mirë për vendin, ne do ta mbështesim atë. Në fund të fundit si mysafir do ta trajtojmë, sepse ashtu siç ka ardhur, ashtu do të largohet në zgjedhjet e ardhshme.
Unë do të vazhdoj të luftoj, jo vetëm nga Brukseli dhe Athina, por në radhë të parë nga vendi im, Himara. Dhe jam i sigurt se është vetëm çështje kohe para se të ndryshojmë faqen e historisë, siç bëmë në maj 2023, përpara se të na vidhej fitorja”, përfundon letra e Belerit.
Fitoi në Himarë, Tavo i drejtohet Gjikurisë: Mos ik, hajde puno me mua për Himarën
Kryebashkiaku i ri i Himarës ka replikuar me ish-rivalin e tij në zgjedhje, Petro Gjikurinë.
Vangjel Tavo vijon ftesën e tij që Gjikuria të mos kthehet në SHBA, por të punojë në krahun e tij në bashki.
Ditën e djeshme Gjikuria deklaroi se procesi i votimit ishte i qetë dhe se ai do të fitonte pavarësisht se disa qytetarë nuk arritën të votojnë. Madje u shpreh publikisht se do ta pranonte verdiktin e popullit. Por këto deklarata u rrëzuan nga vetë Gjikuria pas ‘përpunimit’ që mund t’i ketë bërë Sali Berisha, Vangjel Dule dhe Athina.
Mesazhi i Vangjel Tavos:
Sot Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit.
Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit.
Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike.
Të kujtoj i dashur, se këtë herë në Himarë pati më shumë votues se sa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit. Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën.
Po, e vërtetë! Pati disa dhjetra qytetarë, votues të tutë dhe të mitë, që nuk mundën të votonin për shkak të dokumentave të skaduar të idenditetit, për të cilët kush e dëgjoi thirrjen e ministrisë së brendshme dhe e rinovoi mundi edhe të votonte normalisht.
Prandaj i dashur Petro, unë të përsëris ftesën time që të mos largohesh andej nga erdhe, po të qëndrosh bashkë me mua në krahun tim, në pozicionin e nënkryetarit të bashkisë.
Do të isha shumë i nderuar nëse do ta pranoje propozimin tim, ndërsa në rast të kundërt të uroj megjithë zemër rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese atje. Por në të gjitha rastet le të mbetemi në kontakt dhe për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Sinqerisht, Vangjel Tavo.
Zgjedhjet në Himarë, reagon Gjikuria: Rezultati si pasojë e transformimit të listës, qëllimi pasja e një kryebashkiaku të dobët
Kandidati i opozitës, Petro Gjikuria i cili doli i humbur nga zgjedhjet e 4 Gushtit, ka reaguar me anë të një deklarate për media.
Gjikuria shkruan se, rezultati i djeshëm ishte pasojë e transformimit të listës.
‘Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij’, shkruan Petro Gjikuria në deklaratën e tij.
Deklaratë e Petro Gjikurisë:
Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himariotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri.
Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë. Në këto zgjedhje pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin.
Qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.
Zgjedhjet në Himarë, Athina bën presion për parregullsi gjatë këtij procesi
Athina zyrtare nuk heq dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Shqipërisë, këtë herë duke pretenduar për parregullsi të mëdha në zgjedhjet vendore të Himarës.
Zyrtarët grekë po i bëjnë presion Shqipërisë që të adresojë shqetësimet, në lidhje me integritetin e zgjedhjeve bashkiake të së dielës në qytetin jugperëndimor të Himarës, sipas mediave greke.
“Pretendimet nga minoriteti grek për manipulimin e listës së votuesve dhe mohimin e të drejtës së votës për shkak të kartave të identitetit të skaduara ngrenë dyshime serioze për procesin”, thanë zyrtarët grekë për televizionin grek “SKAI”.
“Parimet demokratike dhe standardet europiane kërkojnë që autoritetet shqiptare të adresojnë këto shqetësime”, vijuan më tej të njëjtat burime, të paidentifikuara.
Në zgjedhjet e Himarës, kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo fitoi me 58.62% të votave, ndërsa Petro Gjikuria mori 41.38%. Numërimi filloi pak pas mesnate teksa të dy kandidatët ishin të pranishëm.
Tavo falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe ftoi Gjikurinë të shërbejë si nënkryetar bashkie.
E paprecedentë, Tavo mori thuajse 99% të votave në këtë zonë të Himarës

Bashkia e Himarës do të drejtohet tashmë nga Vangjel Tavo i PS, i cili arriti të fitonte me mbi 1400 vota diferencë ndaj kandidatit tjetër, Petro Gjikuria. Por ajo çfarë ka rënë në sy këtë në rezultatet e votimeve, është një prej fshatrave nën administrimin e bashkisë Himarë ku Tavo ka arritur të fitojë pothuajse 99% të votave, gjë që rrallë ndodh në zgjedhje në Shqipëri që pas daljes nga komunizmi.
Në fshatin Tërbaç, Tavo ka arritur të marrë 330 vota ndërsa kundërshtari i tij, Gjikuria vetëm 7 vota, mes të cilëve edhe 3 prej komisionerëve të opozitës. Duke e përkthyer në shifër elektorale, Tavo ka arritur të sigurojë 98.3% të votave.
Duhet theksuar se Gjikuria ka marrë rreth 300 vota më pak në këto zgjedhje krahasuar me ish-kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin i cili edhe pse në burg arriti një rezultat më të mirë. Versus.al
Fitorja e Tavos në Himarë, Berisha: Grabitja e radhës, Rama futi në lista votues nga Dropulli e Tirana

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas fitores së Vangjel Tavos në bashkinë e Himarës duke i cilësuar zgjedhjet si “grabitja e radhës”.
Nëpërmjet një reagimi në facebook, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama për shtimin e listave të votuesve duke u transferuar qindra personave gjendjen civile nga Dropulli, Saranda dhe Tirana për në Himarë.
Ndër të tjera ai thekson edhe faktin e skadimit të kartave të ID për më shumë se 6 mijë persona me të drejtë vote.
“Edivin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo.
Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, ju mohoi të drejtëm kushtetuese të votes 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin. Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipea solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit. Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qendron mbi krimin monstruoz elektoral. Me Edi Ramen nuk ka zgjedhje. O sot o kurrë!”- shkruan Berisha.
Kujtojmë se kryedemokrati nuk ka qenë shumë i zëshëm sa i takon fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në Himarë të cilat u dekretuan nga Bajram Begaj pas shpalljes së pavlefshmërisë së mandatit të Fredi Belerit i cili u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për blerjen e 8 votave kundrejt 40 mijë lekëve në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Versus.al
Humbi në Himarë, Gjikuria qindra vota më pak sesa Beleri mori nga burgu në 2023-in

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të zhvilluara dje në Himarë, ka qenë më e lartë krahasuar se ajo e vitit të kaluar. Mbi 1 mijë votues më shumë kanë shprehur vullnetin e tyre me votë, në total 8678 persona, krahasuar me 7655 zgjedhës të vitit të kaluar ku Beleri mori fitoren me vetëm 19 vota më shumë se Jorgo Goro.
Ndërsa në zgjedhjet e zhvilluar dje, Tavo fitoi bindshëm me mbi 1400 vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij politik, Petro Gjikuria.
Me 5022 vota, Tavo rezulton të jetë më i votuar se Beleri dhe se Jorgo Goro të cilët morën përkatësisht 3837 vota dhe 3818 vota.
Ndërsa kandidati i opozitës Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, pra rreth 300 vota më pak se Beleri në zgjedhjet e kaluara pavarësisht se ky i fundit ndodhej në burg. Versus.al
Mediat greke jehonë rezultatit të zgjedhjeve në Himarë, Omonia: Fitoi terrorizmi!

Fitorja e Vangjel Tavos në bashkinë e Himarës ka marrë jehonë edhe në mediat greke të cilat e kanë ndjekur me këmbëngulje çdo zhvillim në bashkinë e Himarës që pas arrestimit të Fredi Belerit vitin e kaluar.
Në artikullin e publikuar nga Protothema, shkruhet se organizata e OMONIA-s, e ka cilësuar fitoren e Tavos si “fitore të terrorizmit”.
Ndërsa më tej në artikull theksohet falenderimi që Tavo i bëri strukturave të PS menjëherë pas fitores në Himarë.
“I zgjedhuri i Edi Ramës, Vangelis Tavos, është fituesi i zgjedhjeve në Heimarra për emërimin e pasardhësit të Fredis Beleris , kryebashkiak i zgjedhur dhe tashmë eurodeputet që mbetet në burg. Sipas njoftimit zyrtar, Tavos ka mbledhur 59% të votave (4858 vota), ndërsa Petros Gikourias i mbështetur nga minoriteti grek ka marrë 41% (3400 vota).
Në dalje, përfaqësuesit e zgjedhjeve të Omonia-s u mjaftuan duke komentuar me kuptim se "terrorizmi fitoi në Himarë". Nga ana e tij, Tavos në deklaratën e tij të parë falënderoi përzemërsisht Edi Ramën dhe strukturat e tij të Partisë Socialiste për mbështetjen e dhënë, ndërsa përsëriti propozimin që i kishte bërë para zgjedhjeve Gikouria-s për të marrë postin e nënkryetarit të bashkisë”- thuhet në artikullin e medias greke.
Ky është reagimi i parë nga pala kundërshtare në zgjedhje pas shpalljes së rezultatit final që i dha fitoren Vangjel Tavos. Versus.al
FOTOT/ Me duar në kokë, duke tymosur puro, sekretari i OMONIA-s i zhgënjyer pas humbjes në Himarë

Sekretari i Përgjithshëm i organizatës “OMONIA”, Marin Suli i cili ishte njëherësh edhe kryetar i KZAZ-së nr.88 në zgjedhjet për bashkinë e Himarës, shprehu haptas mërzitjen e tij me rezultatin që i dha fitoren kandidatit të PS, Vangjel Tavo.
Me puro në dorë, dhe duke vështruar në telefon, Suli qartaz shpreh zhgënjimin e marrë nga humbja në zgjedhjet që i dhanë fund “sagës” mbi 1 vjeçare për drejtimin e bashkisë Himarë që pas burgosjes së Fredi Belerit më 12 maj, i cili u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit, por nuk e ushtroi mandatin e tij për asnjë ditë pasi ndodhej në burg për blerje votash.
Këtë herë në krah të Gjikurias, Suli nuk ngurroi që ditën e djeshme të fliste edhe me emra në akuzë ndaj PS me pretendimin se komisioneri i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ishte kërcënuar në fshatin Vranisht.
“Zgjedhjet duhet të kishin shkuar shumë më mirë në një vend demokratik. Jemi në situatën ku administrata rilindase pothuajse ka pushtuar Himarën. Është e pamundur që në çdo qendër votimi të mos gjesh mbi 10 deri në 15 nënpunës shteti që bëjnë presion. Bandat kriminale janë në çdo qendër votimi. Kanë kërcënuar me jetë, me presion komisionerët tanë. S’janë një palë zgjedhje demokratike, janë zgjedhje të sforcuara. I bëj thirrje të gjithë himarjotëve të shkojnë e të votojnë një orë e më parë. Të mos kenë frikë nga presionet e maskarenjve, të rrugeçërve dhe bandave. Në Vranisht komisionerin tonë Ilia Gjiçalin e kanë kërcënuar me jetë. Në shkollën te lagjja 1 Maj po ashtu e njëjta gjë. Nënpunës të administratës dhe anëtarë të këshillit bashkiak Vlorë na kanë kërcënuar komisonerët. I kemi referuar në polici. Këto do të jenë objekt dhe subjekt denoncimesh dhe kallëzimesh penale pas mbarimit të procesit zgjedhor”, u shpreh ai dje.
Ndërsa të njëjtin pretendim e pati edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i cili deklaroi se e gjithë administrate shtetërore dhe PS ndodhej në Himarë për të presionuar zgjedhësit. Versus.al
"Fitore spektakolare", Rama uron Tavon me videon e 'pazakontë': Himara do kthehet në destinacion të Mesdheut
Me një video të edituar dhe një shkrim në gjuhën greke, kështu ka zgjedhur kryeministri Edi Rama t’i urojë fitoren Vangjel Tavos në zgjedhjet për kreun e bashkisë Himarë. Duke e cilësuar si “fitore spektalolare”, Rama shkruan se me zgjedhjen e Tavos në krye të bashkisë, Himara do të kthehet në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut.
“Mirëmëngjes dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”- shkruan Rama. Versus.al
Nga ish-zyrtar i LSI dhe përplasjet me Ramën në kryebashkiak të Himarës, kush është Vangjel Tavo?

Vangjel Tavo fituesi i zgjedhjeve për kryebashkiak në Himarë, ka qenë me herët zyrtar i LSI-së, duke mbajtur poste të rëndësishme ndër vite.
Fillimisht ai e nisi angazhimin e tij politik me Partinë Socialiste në vitin 1996 ndërsa u largua në vitin 2010 pas përplasjeve që pati me kryesocialistin Edi Rama. Pas largimit nga PS, Tavo u bashkua me LSI-në ku kryetar ishte Ilir Meta.
Për një periudhë 1-vjeçare, në vitet 2012-2013 Tavo shërbeu si Ministër i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Petrit Vasilin.
Në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës dhe 2017-ës, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastër. Ai vijoj të kandidonte në këtë qark edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 por nuk mundi të fitonte mandatin e deputetit dhe në këtë mënyrë vendosi të shkëputej përkohësisht nga politika aktive. Jo pak herë Tavo është shprehur kundër Ramës duke deklaruar se “Rilindja” si platformë e tij, nuk kishte asnjë lidhje me socialistët.
Por pavarëisht këtyre përplasjeve në distancë, Tavo këtë vit zgjodhi që rikthimin në sferën politike ta bënte pas ofertës që mori nga Rama fillimisht për të qenë prefekt i qarkut të Vlorës dhe më pas kandidat për bashkinë e Himarës ku edhe u shpall fitues ditën e sotme. Versus.al
VIDEO/ Fitoi zgjedhjet për kreun e bashkisë Himarë, Tavo përsërit ftesën ndaj Gjikurisë: Të jetë zëvendësi im!

Pas shpalljes së rezultatit final për bashkinë e Himarës ku fitoi me 1477 vota më shumë sesa kundërshtari i tij Petro Gjikuria, Vangjel Tavo i PS bëri një reagim zyrtar në rrjetin e tij social “facebook” ku falenderon të gjithë mbështetësit e tij të cilët e votuan ndërsa nuk mungoi as shprehja e mirënjohjes ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
Ndër të tjera, Tavo përsëriti ftesën e tij të bërë për Gjikurinë para zgjedhjeve, duke u shprehur i gatshëm se nëse ky i fundit kishte vendosur të jetonte në Himarë, atëherë posti i nënkryetarit të bashkisë është i hapur për të.
“Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki”- tha Tavo.
Reagimi i plotë i Vangjel Tavos:
Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.
Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.
Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.
Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.
Falenderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.
Ju falenderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.
Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.
Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve. Në mbyllje ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës.
Vangjel Tavo arriti të fitonte me mbi 58.62% të votave përballë 41.38% të votave që arriti të merrte Petro Gjikuria. Gjatë procesit zgjedhor pati akuza nga ana e opozitës për manipulim dhe presion ndaj zgjedhësve duke theksuar skadimin e kartave të ID për mbi 6 mijë persona me të drejtë vote. Versus.al
VIDEO/ Merr fund "saga" 1 vjeçare e bashkisë Himarë, momenti kur Vangjel Tavo i PS shpallet fitues
Vangjel Tavo i Partisë Socialiste është shpallur fitues i zgjedhjeve për kreun e bashkisë së Himarës. Në rezultatin final pas numërimit të votave në 36 qendrat e votimit, Tavo arriti të siguronte 5022 vota ose 58.62% përballë 3545 votave (41.38%) të marra nga kundërshtari i tij Petro Gjikuria.
Menjëherë pas fitores, Tavo reagoi për mediat duke deklaruar se nuk ka kohë për festë por duhet nisur nga puna, ndërsa përsëriti propozimin që bëri për Gjikurinë para zgjedhjeve duke i ofruar postin e nënkryetarit.
“Mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar bashkinë, sot fitoi Himara! Nuk ka kohë për festë por do të fillojmë të gjithë nga puna për Himarën e bashkuar dhe pa probleme. Zhvillimi që na pret para nuk është i fragmentarizuar por një i tërë”- u shpreh Tavo ndër të tjera.
Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar, Tavo rezulton të ketë marrë 1500 vota më shumë se kryetari i zgjedhur Fredi Beleri. Ndërsa Petro Gjikuria mori 300 vota më pak se Fredi Beleri.
Me fitoren e Tavos merr fund “saga” mbi një vjeçare për drejtimin e bashkisë Himarë e cila që në fillim të fushatës zgjedhore të vitit të kaluar u përfshi nga tensione, me kryeministrin Edi Rama që sulmoi drejtpërdrejt Fredi Belerin, kandidatin e opozitës, koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Më 12 maj, 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, Fredi Beleri u arrestua në Himarë me urdhër të SPAK nën akuzën e blerjes së 8 votave kundrejt 40 mijë lekëve.
Ai u shpall fitues i zgjedhjeve përballë Jorgo Goros por nuk mundi ta ushtronte detyrën e tij për shkak se ndodhej në burg. Funksioni i kryebashkiakut u ushtrua nga Jorgo Goro deri në mars të këtij viti kur u arrestua me urdhër të SPAK nën akuzën e tjetërsimit të pronave në Himarë. Goro u zëvendësua nga Blerina Bala e cila e mbajti postin për vetëm dy muaj pasi dha dorëheqjen për arsye personale. Kryetar në detyrë u zgjodh Arqile Bollano me 12 vota të këshillit bashkiak ndërsa me 5 korrik KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të Belerit të dënuar me 2 vite burg, duke e çuar Himarën në zgjedhjet e parakohshme që i dhanë fund “sagës 1 vjeçare”. Problemi më i madh që konsiderohet të jetë më aktuali në Himarë është çështja e pronave. Versus.al







