
Australi- Gjykata e Magjistraturës në Adelaide ka vendosur të pushojë njërën nga akuzat ndaj terapistes dhe influencueses shqiptare, Belina Pupa, për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në Ascot Park.
Sipas dokumenteve gjyqësore, akuza për kultivimin e bimëve narkotike nuk do të vazhdohet më, duke nënkuptuar se nuk ka asnjë vendim për fajësi apo dënim në këtë drejtim.
Megjithatë, çështja e dytë, që lidhet me ndërhyrjen e paautorizuar në furnizimin elektrik, mbetet ende në proces dhe është shtyrë për seancë më 25 nëntor 2025, në Gjykatën e Adelaide.
Avokatja Marie Shaw KC, që përfaqëson znj. Belina Pupa, i tha gjyqtarit Justin Wickens se prokuroria nuk mund të përjashtojë mundësinë që bashkë i akuzuari dhe bashkëshorti i saj, Elvis Pupa i njohur për pjesëmarrjen në Big Brother Albania në vitin 2021 të ketë qenë i vetmi autor i veprës penale, shkruan media australiane The Advertiser.
“Rasti i prokurorisë bazohet vetëm në faktin që ajo është pronarja e regjistruar e pronës, dhe prandaj prokuroria nuk mund të përjashtojë mundësinë që bashkëshorti i saj të ketë qenë i vetmi përgjegjës për krimin.
Kërkesa jonë është që akuzat të hidhen poshtë.Nuk ka asnjë provë kundër saj, përveç faktit që është pronare e regjistruar e një prone ku ajo nuk ka jetuar për më shumë se gjashtë muaj.” është shprehur avokatja e influencueses.
Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga gazeta The Advertiser, Pupa dyshohet se ka kultivuar marijuanën mes 1 janarit dhe 4 prillit të këtij viti.
Gjyqtari i çështjes vendosi që znj. Pupa të mbetet e liruar me kusht, deri në seancën e ardhshme të gjykimit muajin tjetër./Versus.al







