Ndryshe nga sa pritej, derbi i mbrëmjes së sotme i luajtur mes Tiranës dhe Partizanit në “Air Albania” nuk ka pasur shkëndijat e duhura duke bërë që ndeshja të mbyllet në barazim pa gola duke “zhgënjyer” kështu rreth 11 mijë tifozë që kishin blerë biletat.
Me këtë rezultat të kuqtë vijojnë të mbajnë rekordin e tyre prej 8 ndeshjesh pa humbje në derbi. KF Tirana ka tashmë 2 vite që nuk fiton përballë Demave, duke shënuar statistikat 5 humje dhe 3 barazime në 8 ndeshjet e fundit.
Në fushën e lojës pati shumë futbollistë debutues ndërsa në pankinë të dy skuadrat kishin trajnerë të rinj, Aleksandër Veselinovic për të kuqtë dhe Bledi Shkëmbi për bardheblutë, të cilët drejtojnë skuadrat për herë të parë në një derbi.
Para nisjes së ndeshjes, bardheblutë nderuan kujtimin e të ndjerit Gerti Bogdani, ish-deputetit të PD i cili ndërroi jetë ditën e mërkurë pas një arresti kardiak. Një banderolë gjigande me foton e Bogdanit i veshur ‘bardh e blu’, u shfaq në stadium dhe më pas lojtarët e Tiranës vendosën kurora me lule në nderim të tij. 44 vjeçari njihej si tifoz ‘i flaktë’ i KF Tiranës.
Për ndeshjen, policia ‘blindoi’ Tiranën duke bllokuar disa rrugë në mënyrë që të mos hasej vështirësi gjatë mbërritjes së tifozëve në stadium. Versus.al







