MAGAZINË /

Egnatia mposht Partizanin dhe shpallet kampione e “Superiores”! Olsi Rama për skemën e përdorur: Foshnja lindi e vdekur me ‘Final 4’

Fitorja e Egnatias përballë Partizanit për titullin kampion të Superiores, u solli rrogozhinasve 1 milionë euro shtesë në arkat e klubit ndërsa pati kënaqësi nga krahu i tiranasve, me Olsi Ramën i cili shprehu indinjatën për skemën e përdorur dhe arbitrimin e ndeshjes.

Shkruar nga Versus
Egnatia mposht Partizanin dhe shpallet kampione e “Superiores”! Olsi
Festa e Egnatias, Olsi Rama dhe një lojtar i Partizanit

Egnatia u shpall kampione e Superligës shqiptare të futbollit për sezonin 2023-2024 duke siguruar kështu titullin e parë kampion në historinë e klubit.

Skuadra e Edlir Tetovës mundi në “Air Albania” Partizanin në finale e “Final 4”, skemës që u aplikua këtë sezon. Gjithçka u vendos nga goli i Ibrahimoglu në minutën e 35-të duke zbritur kështu nga froni Partizanin që ishte kampioni në fuqi i Superligës.

Rrogozhinasit u dukën më të motivuar dhe dukshëm fituan terren nga minuta në minutë. Trajneri Edlir Tetova në deklartën e dhënë pas ndeshjes u shpreh se skuadra nuk kishte objektiv dy kupat.

"Të dyja kupat nuk ishim objektiv, por sipas ecurisë menduam që “përse jo?”. E pata deklaruar që është lojë episodesh. Edhe ne kishim mundësi me skemat që kishim përgatitur. Goditëm edhe shtyllën. Unë doja të fitoja duelet në mesfushë. E menaxhuam mirë, por normalisht që edhe Partizani kishte rastet e veta”- tha Tetova.

Të entuziazmuar u shprehën lojtarët e Egnatias të cilët fituan edhe për shokun e tyre të Skuadrës Raphael Dëamenan i cili ndërroi jetë në fushë më 11 nëntor pas një problemi me zemrën.

Ndërsa i revoltuar është dukur drejtori i Partizanit, Olsi Rama i cili shprehu haptas pakënaqësitë e tij mbi arbitrimin e gjyqtarit anglez Anthony Taylor dhe skemën “Final 4” për shpalljen e skuadrës kampione të Superligës.

"Padiskutim i mërzitur sepse është një vit punë e mund dhe sigurisht që nuk të vjen mirë të humbasësh, sidomos me këtë format. Uroj Egnatian se nuk vodhën gjë, i uroj sukses, i përgëzoj për punën por “foshnja lindi e vdekur” si i thonë se ky eksperimenti i “Final Four” na shkatërroi nga nervat me pjesën që duhej të motivonim lojtarët.

Pastaj erdhi një arbitër që na solli jo vetëm shiun nga Londra, por kishte ardhur me pushime dhe vetë u mërzit. Nuk e komplimentova se nuk kishte gjë për të komplimentuar. E kam ndjekur dhe e di se çfarë qëndrimi ka me mënyrën si arbitron dhe kur vjen në Shqipëri vjen e na tregon si luhet futbolli”- shkruan ndër të tjera Olsi Rama në reagimin e tij.

Shpërblimi i FSHF-së dhe vendi i sigurt në turin eliminator në Champions League bën që minimalisht Egnatia si kampione e Superligës shqiptare të shtojë 1 milionë euro në arkat e klubit.

Poll