Një i pastrehë kthen 2000 euro të gjetura në tren në Amsterdam dhe merr 34. 000 euro shpërblim
Një fushatë në internet mblodhi më shumë se 34. 000 euro për një të pastrehë, i cili i ktheu policisë një portofol të harruar në një tren në Amsterdam me rreth 2.000 euro brenda tij.
Ky akt qytetarie "e ktheu plotësisht jetën e tij përmbys", deklaroi Hadjer Al-Ali, 33 vjeçari që dorëzoi portofolin, kur mësoi se faqja e croëdfunding mblodhi 34.102 euro në një ditë të vetme për të.
Aksioni, i quajtur "Mbështetje për Hadjer të ndershëm", do t’i lejojë të riut, i cili ka qenë i pastrehë për 18 muaj, të gjejë më në fund strehim me qira.
Hadjer Al-Ali, baba i dy fëmijëve, mori gjithashtu shumë mesazhe nga njerëz që i ofronin punë.
33 vjeçari gjeti portofolin me 2000 euro brenda në Stacionin Qendror të Amsterdamit ndërsa po mblidhte shishe plastike të cilat më pas i shkëmben me para. “Kishte rreth 2.000 euro në kuletë, por fatkeqësisht nuk kishte dokumente identiteti apo ndonjë gjë për të kontaktuar pronarin e saj”, tha policia.
“Meqenëse ne besojmë se ndershmëria duhet të paguajë, ai mori një çmim “gishti i madh i argjendtë” që ne ndonjëherë ua japim qytetarëve, me një kupon dhuratë me vlerë 50 euro”, shtuan autoritetet. Nëse askush nuk del për të kërkuar paratë e humbura brenda një viti, shuma do t'i kthehet.
"Dua t'i falënderoj të gjithë, kaq shumë... Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem tani... Jam përmbytur me mesazhe nga njerëz që thonë gjërat më të ëmbla, më të mira", tha Hadjer Al-Ali në një video në Instagram.
“Nuk i gjej fjalët, nuk di çfarë të them, jam plot adrenalinë”, shtoi ai, duke pohuar se do të ishte në gjendje të rindërtonte jetën e tij me paratë e mbledhura.







