
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate ka folur për herë të parë pas humbjes së skuadrës së tij përballë Spanjës me rezultatin 2-1. Ai pranoi se spanjollët kishin kontroll më të lartë të ndeshjes, ndërsa tha se ishte arritje e madhe fakti që anglezët shkuan në finale për herë të dytë radhazi në një kampionat europian.
“Lojtarët kanë një meritë të madhe që na çuan deri aty ku arritëm, por kur jemi aq afër, duhet ta shfrytëzojmë shansin. Ata e kanë përfaqësuar fanellën me krenari dhe nuk janë mposhtur deri në fund.
Thjesht mendoj se Spanja kishte më shumë kontroll mbi lojën. Anglia është në një pozicion shumë të mirë për sa i përket përvojës që ka. Pjesa më e madhe e kësaj skuadre do të jetë në Botërorin e ardhshëm dhe ndoshta Euros së ardhshme. Ka shumë për të pritur, por në këtë moment, nuk është ndonjë ngushëllim.”- u shpreh Southgate.
Lidhur me mundësinë e largimit të tij nga posti i trajnerit, Southgate nuk dha përgjigjie të prerë, por la të kuptohej se e mendon diçka të tillë.
“Reflektim pas tetë vitesh në stol? Sigurisht që të çonim Anglinë në dy finale nuk ishte arritur kurrë, por ne erdhëm këtu për të fituar dhe nuk ishim në gjendje ta bënim këtë. Anglia ka disa lojtarë të mrekullueshëm. Por ishte hapi i fundit që nuk mundëm të bënim", tha trajneri. Versus.al







