MAGAZINË /

Kreu i KMSH-së uron besimtarët për nisjen e Ramazanit: Muaj paqeje, mëshire dhe solidariteti

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët për nisjen e Ramazanit, duke e cilësuar këtë muaj si një periudhë reflektimi, mëshire dhe solidariteti. Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e agjërimit për forcimin e disiplinës shpirtërore dhe bëri thirrje për unitet, paqe dhe ndihmë ndaj nevojtarëve gjatë kësaj kohe të shenjtë.

Shkruar nga Versus
Kreu i KMSH-së uron besimtarët për nisjen e Ramazanit: Muaj
Bujar Spahiu

Kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në mesazhin e tij, Spahiu e cilëson Ramazanin si një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore për njerëzimin, duke theksuar se ky muaj është kohë reflektimi, faljeje dhe afrimi me vlerat themelore të besimit.

Ai nënvizoi se agjërimi forcon disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, ndërsa shërben edhe si moment për përmirësim individual dhe shoqëror.

Kreu i KMSH-së theksoi gjithashtu rëndësinë e dimensionit social të Ramazanit, duke i ftuar besimtarët të shtojnë solidaritetin, ndihmën për nevojtarët dhe përkushtimin ndaj së mirës së përbashkët. Në përfundim, ai uroi që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe forcë shpirtërore për të gjithë.

Postimi i plotë:

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Përcjell urimet e mia më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe punojnë, duke ju dëshiruar një muaj të bekuar plot paqe, mëshirë dhe begati në familje e në shoqëri!

Të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër myslimanë,

Nesër, ne nisim agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta, duke lutur Zotin e Madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ramazani është një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njerëzimit. Ai është muaj i agjërimit, i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes. Në Librin e Tij të Shenjtë, Allahu thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.” (El-Bekare, 185)

Ky ajet na kujton se Ramazani është kohë reflektimi dhe orientimi, kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.

Agjërimi është një akt adhurimi që na mëson disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë:
“Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe djajtë lidhen.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky hadith është një mesazh shprese dhe optimizmi për çdo besimtar. Ramazani është mundësi për përmirësim individual dhe kolektiv, për pastrim shpirtëror dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha.
Në këtë muaj të shenjtë, rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni social i besimit. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane.

Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, në respekt ndaj tjetrit dhe në përkushtim për të mirën e përbashkët.

Në emërin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë.

Allahu e pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat tuaja të mira!Versus.al

Poll