I lindur në Tiranë, Jurgen Lika e ka pasur që në fëmijëri dëshirën për t’u bërë pjesë e botës së modës.
Edhe pse mundësitë në Shqipëri ishin të pakta, thuajse zero, ai nuk e la asnjëherë pasionin të shuhet.
Me vendosmëri, disiplinë dhe përkushtim, Jurgeni nisi rrugëtimin e tij drejt industrisë amerikane të modës një ëndërr që për shumë duket e paarritshme, por për të u kthye në realitet.
Modelingu ka qenë gjithmonë pjesë e identitetit të tij, një fushë ku ai ndiente se i përkiste.
Një ndër personat që e mbështeti dhe e udhëhoqi në këtë rrugë ishte fotografi i njohur shqiptar në SHBA, Fadil Berisha, i cili u bë mik dhe mentor në hapat e parë të karrierës së tij.
Rrugëtimi i Jurgenit nuk ka qenë i lehtë.
Konkurrenca në tregun amerikan është e madhe dhe karakteret janë të pafundme, por ai e ka përballuar me siguri dhe profesionalizëm.
“Nuk kisha frikë, sa pasiguri, por ishte perfeksioni që më ndante nga të tjerët”, shprehet Jurgeni me bindje për Versus.al
Gjatë intervistës Jurgeni shprehet se ndihet krenar për origjinën e tij:
''Unë prezantohem si Jurgeni nga Shqipëria këtu nis krenaria ime”
Për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë suksese jashtë vendit, Jurgeni ka një mesazh të qartë: “Të punojnë fort për ëndrrat e tyre. Askush më shumë se vetë ne nuk kupton rëndësinë që ëndrrat kanë.”
Intervista e plotë e Jurgen Likës dhënë për Versus.al:
Si nisi rrugëtimi yt drejt industrisë amerikane të modës?
Ishte synimi që i kisha vendosur vetes që duhej ta ndiqja me vendosmëri.
Cili ishte momenti që e kuptove se modelimi ishte pasioni yt?
Gjithmonë e kam ditur që modelingu do ishte e ardhmja ime.
Kush ka qenë mbështetësi juaj më i madh gjatë rrugëtimit drejt industrisë amerikane të modës dhe si ju ka ndihmuar ai/ajo?
Fadil Berisha ka qenë një ndër miqtë e mi që më ka suportuar drejt kësaj rruge në industrinë amerikane.
Sa e vështirë ishte për ty si një model shqiptar të depërtosh në tregun amerikan?
Konkurenca ishte e madhe dhe karakteret ishin të pafundme. Nuk kisha frikë, sa pasiguri, por që ndër të tjera ishte perfeksioni që më ndante nga të tjerët.
Ke hasur paragjykime apo pengesa për shkak të origjinës tënde?
Paragjykime jo. Kam pasur gjithmonë fjalë të bukura dhe komplimente nga amerikanët, por ndihej energjia rreth meje.
Si e ke përjetuar konkurrencën në një treg kaq të madh si ai i SHBA-së?
Isha modeli më i lumtur në botë kur në email vinin konfirmime nga brende që jam përzgjedhur për t’i përfaqësuar.
Si erdhi mundësia për të marrë kontrata me brende amerikane dhe për të sfiluar në Neë York Fashion week?
Casting, casting, casting ishte e vetmja mënyrë për të arritur aty. O vlen, o nuk vlen. Nuk ka kompromise.
Na trego pak për përvojën tënde në pasarelë, çfarë ndjesie është të jesh në skenën më të madhe të modës në botë?
Ndihesh një yll me plot kuptimin e fjalës, duke filluar nga vëmendja. Ti ke një status që të vlerësojnë të gjithë e deri te mënyra e të trajtuarit me shumë respekt e përulje.
Sa rëndësi ka për ty të përfaqësosh Shqipërinë në arenën ndërkombëtare të modës?
Unë prezantohem si Jurgeni nga Shqipëria, këtu nis krenaria ime, kur tregoj për origjinën time.
Çfarë do t’u thoje të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë suksese jashtë vendit?
Të punojnë fort për ëndrrat e tyre. Të gjithë i dimë pikat e forta dhe të dobëta që ne kemi. Askush më shumë se vetë ne nuk do kuptojë rëndësinë që ëndrrat kanë. Mjafton t’i ndiqni. Bota e modës është për të gjithë njësoj. Sigurisht, nuk është fushë me lule, por është aty për të gjithë.
Cilat janë objektivat e tua të ardhshme pas këtij suksesi?
Kopertinat e revistave janë një tjetër synim i imi. Revistat e famshme do ishin trampolinë për të arritur më lart.
A ke plane për të bashkëpunuar me stilistë apo marka shqiptare në të ardhmen?
Nëse do të më vinte një ofertë e mirë, sigurisht do isha mirënjohës dhe i lumtur të punoja me to!/Versus.al
