Në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 4”, ka momente ku banorët heqin dorë nga debatet herë të vërteta e herë të stisura të lojës dhe tregojnë momente nga jeta e tyre personale, dobësitë apo dhe dhimbjet që kanë marrë me vetë kur kanë hyrë në shtëpinë VIP.
Këtë gjë e ka bërë dhe artistja Rozana Radi, e cila duke biseduar me Loredanën i ka hapur zemrën kësaj të fundit, duke shprehur detaje nga jeta me partnerin e saj prej 13 vitesh, Shpëtimin.
Në rrëfimin e saj prekës, Rozana ka rrëfyer se ai është mbështetja e saj më e madhe, por ndihet keq që nuk kanë një fëmijë së bashku.
Ndër të tjera, këngëtarja ka thënë se është duke luftuar për t'u bërë nënë dhe se nga ana tjetër partnerin e saj prej më shumë se një dekade e lë të lirë për të krijuar një jetë tjetër, që të ketë mundësinë e krijimit e një familjeje. Ajo ka rrëfyer se këtë vëndim të dhimbshëm e të vështirë e ka marrë vetëm nga dashuria e madhe që ka për të Kjo, sipas Rozanës ka qenë dhe arsyeja që nuk e ka takuar muajin e fundit para se të hynte në Big Brother.
Pjesë nga deklarata e saj:
“Unë nuk e kam takuar partnerin tim kur erdha këtu se janë disa gjëra më madhore se loja, është jeta e partnerit tim. 13 vite dashuri dhe vitet e fundit në kërkesë të një fëmije. E unë nuk dua të marr njeri në qafë. Nuk jam egoiste dhe nuk mendoj për veten time e them, Rozana luftove dhe po luftoj akoma për t’u bërë nënë. Unë po ta them tani që e lashë të lirë djalin që ai të mos ndihej keq nesër pasnesër nuk pati një trashëgimtar. Mua Shpëtimi nuk më ka bërë asgjë përveçse më ka dashuruar gjithë jetën, s’ma ka prishur kurrë. Ka qenë suporti më i madh. Unë e dua aq shumë sa nuk dua ta marr në qafë. Ai të ketë mundësinë të njohë një vajzë tjetër, të bëhet prind. Këtë e kam bërë për Shpëtimin dhe jo për vete”.
Ky rrëfim i Rozanës ka prekur tej mase Loredanën e cila nuk i ka kursyer përqafimet e ndjesën për artisten e njohur mee të cilën ka patur jo pak debate të ashpra në këto gati 60 ditë që jetojnë të mbyllura brenda mureve të shtëpisë më të njohur e vëzhguar në vend.







