
Ditë më parë më në fund u bë i mundur ribashkimi i ikonës së muzikës shqiptare Parashqevi Simaku, me të birin Luka Nofle pas 15 vitesh në mungesë.
Biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani i cili ishte i pranishëm në momentin e ribashkimit, dha detaje për takimin duke zbuluar se Luka nuk e dinte që e ëma kishte qenë artiste e famshme në Shqipëri.
“Takimi ishte menduar të ishte i shkurtër, dhe zgjati gjithë natën. Roberti qante gjithë natën, i biri donte të vëzhgonte çdo video të Parashqevisë duke kënduar, nuk kishte parë asnjë video të nënës deri në ato momente. Mesa kuptova nga komunikimet gjatë gjithë natës, ishte se ndarja e tyre nuk ka qenë e thjeshtë, ka qenë një luftë e madhe gjyqësore, dhe nuk mund të themi se kush është fajtori, nuk mund të them se është Robert, por as se Parashqevia ka qenë me qëllim fajtore. Është një dramë shumë e madhe.
Ai e ka kthyer gjashtë herë këngën ‘E duam lumturinë’ dhe në një moment i kërkon avokates time t’ia përkthejë, dhe ajo ia përktheu, dhe djalit iu mbushën sytë me lot. Ai i ka thënë Parashqevisë që ‘mama unë jam krenar për ty’ dhe kjo është arritja më e madhe që mund të ketë Parashqevia dhe që ai nuk e dinte që nëna e tij të ishte një yll, shikonte dhe një nënë shumë të bukur. Kur pa që ishte ajo që ishte, kam idenë që ai tani e do nënën e vet. Ishte një natë shumë e bukur ku ne kënduam, me shumë emocion…”, tha Ilirjani në "Top Story".
Ndër të tjera zbuloi sesi Roberti, ish-bashkëshorti i Parashqevisë dhe djali i tyre Luka, kishin ardhur të maskuar. Djali ishte shprehur se ndihej i frikësuar se mund t’i vrisnin babanë me gjithë kërcënimet që kishin marrë në rrjetet sociale.
“Të dy atë e bir erdhën të maskuar, më kanë bërë shumë përshtypje kur isha në holl erdhën dy njerëz që kishin vetëm sytë të zbuluar, sepse gjithë kjo zhurmë që u bë në mediat shqiptare dhe kërcënimet që merrte Robert kishte bërë dhe një impakt negativ dhe te vetë djali. I thash ‘pse gjithë kjo frikë’ dhe më tha ‘kam frikë se do më vrasin babanë’- zbuloi Ilirjani. Versus.al







