Sot, Sahara njihet si një vend i thatë dhe i vështirë për të jetuar, por shumë vite më parë, para rreth 14.800 deri në 5.500 vite ajo ishte e gjelbër, me liqene, pyje dhe kullota, dhe me mjaft ujë për të mbështetur jetesën e njerëzve dhe kafshëve.
Kjo periudhë njihet si “Koha e Lagësht e Afrikës” dhe ka qenë një epokë kur në vend të rërës së pafund, Sahara ishte një zonë ku mund të bëje bujqësi dhe të mbaje bagëti.
Çfarë zbuluan shkencëtarët?
Një grup studiuesish ndërkombëtarë, të udhëhequr nga Nada Salem nga Instituti Max Planck për Antropologji Evolucionare, analizuan ADN-në (materialin gjenetik) të dy grave të lashta që jetonin në atë zonë para rreth 7,000 vjetësh.
Këto gra, të cilat ishin baresha, janë gjetur në një shpellë shkëmbore në Libi, në vendin e quajtur Takarkori. Falë kushteve natyrore, trupat e tyre ishin ruajtur mirë dhe u mundësua analizimi i ADN-së së tyre.
Po çfarë tregoi ADN-ja?
ADN-ja tregoi se kjo popullsi kishte një origjinë shumë të vjetër në Afrikën e Veriut, por nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me popullsitë sub-sahariane (si p.sh. afrikanët që jetojnë sot në jug të Saharasë).
Ata nuk kishin ardhur nga ndonjë migrim i madh, por duket se kishin jetuar atje prej shumë kohësh dhe kishin pak kontakte me të tjerë.
Në krahasim, popullsi të tjera më larg, si ata në Marok (Shpella Taforalt), kishin më shumë gjurmë gjenetike nga Neandertalët dhe nga fermerë që vinin nga Lindja e Mesme.
Populli i Takarkorit ishte më pak i përzier gjenetikisht sesa pritej. Blegtoria dhe bujqësia, sipas studiuesve, nuk janë përhapur nga migrimet, por më shumë nga shkëmbimi kulturor, njerëzit i mësonin nga njëri-tjetri, jo sepse lëviznin masivisht.
Po ADN-ja e Neandertalëve?
Këto gra të lashta kishin pak ADN të Neandertalëve, gjë që është e rrallë për njerëzit afrikanë – por e zakonshme për ata që kanë pasardhës nga jashtë Afrikës (si europianët). Kjo tregon se ka pasur disa kontakte të hershme me njerëz të tjerë, por shumë më pak krahasuar me grupet jashtë Afrikës.







