AKTUALITET /

Mashtrimi me kreditë, sekuestrohen llogari bankare në vlerë 10 mln € të administratorëve të “Final” dhe “Microcredit”

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar llogari bankare me vlerë deri në 10 milionë euro të administratorëve dhe subjekteve të përfshirë në mashtrimin e qytetarëve me mikrokredi.

Shkruar nga B.V
Mashtrimi me kreditë, sekuestrohen llogari bankare në vlerë 10
Fotot e 8 të akuzuarve si pjesë e "skemës piramidale" me mikrokreditë

Tiranë- Pas operacionit ku zbulua skema piramidale që banka të ndryshme dhe administratorët e tyre përdornin për të detyruar qytetarët të lanin “kreditë e këqija”, prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 10 mln euro pasuri në llogaritë bankare të të arrestuarve dhe të subjekteve bankare që e aplikonin skemën zhvatëse.

Pasuria e fituar nga skema piramidale duke mashtruar qytetarët, të cilëve u merrnin shumëfishin e vlerës për “kreditë e këqija”, ishte investuar në letra me vlerë me interes 4-10.5%. Të akuzuarit dyshohet se sekuestronin pasuritë e qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të dhëna.

“Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: Arben Meskuti, Ernela  Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega,Andis  Gjoka, Vasil  Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha”- thuhet në njoftimin e SPAK.

Më 24 maj, gjykata la në fuqi masat e arrestit për 9 persona, 5 prej të cilëve arrest në burg e 4 arrest në shtëpi të akuzuar për mashtrimin përmes mikrokredive të mijëra qytetarëve debitorë. Arrest me burg u caktua për Arben Meskutin, përmbarues gjyqësor, ortak i "FINAL"; Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton, të tre administratorë të Star-FS ndërsa u dha masa e sigurisë arrest në shtëpi për administratoren e Micro Credit Albania Elda Ibron si dhe për tre përmbarueset Jorsida Dervishi; Alketa Tanushi, Kejda Seferi.

Në dosjen hetimore përmendej konkretisht një rast ku një personi i janë sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme për shkak të një detyrimi të prapambetur prej 347.958 lekësh.

Pas zbulimit të skemës piramidale, Banka e Shqipërisë u hoqi licencat subjekteve të “Micro Credit Albania” dhe “Filal” duke marrë në dorë edhe dosjet e klientëve të tyre. Versus.al

Poll