MAGAZINË /

VIDEO/ Magjia e fëmijëve në një ngjarje të paprecedentë në festivalin e tyre

Sonte do të jetë nata e tretë e Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, dhe dashtë Zoti fëmijëve të korit nuk ju bie barra prapë për të mbuluar defektet apo përgjegjësitë e strukturave vendore që mbrëmjen e së premtes “u fshehën” pas vogëlushëve.  

Shkruar nga ar.ba.
VIDEO/ Magjia e fëmijëve në një ngjarje të
Festivali i Femijeve, 31 maj 2024

 

Ndodhi edhe kjo… Në 62 vite histori të Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, mbrëmja e dytë e garës mbaroi pa thënë “Natën e mirë u takofshim nesër” moderatorja Orinda Huta.  Vendimi për ta mbyllur erdhi nga “lart”, në formën e ndërprerjes së energjisë.

Fatmirësisht nata e dytë e garës kishte shkuar drejt fundit, kur ndërprerja e energjisë elektrike zuri në befasi spektatorët e shumtë që kishin mbushur sallën e Teatrit “Migjeni” si dhe organizatorët e këtij edicioni të 62-të të festivalit.

Kur gjithësekush ngrinte supet për shkakun e ndërprerjes së energjisë, fëmijët e korit të këtij festivali, pjesë e qëndrës kulturore ‘Kujtim Aliaj” (dirigjenti i ndjerë historik i këtij festivalit) bënë spontanisht një mrekulli të vogël që mori zemrat e të pranishëmve.

Magjikë, siç dinë të jenë veç fëmijët, ata buçitën në kor, pa muzikë e vijë muzikore, duke kënduar përmbledhjen e këngëve që ishin në garë në natën e dytë.

Kjo ka sjell emocione të shumta mes të pranishëmve, që në masë kanë nxjerrë telefonat dhe ju kanë bërë dritë fëmijëve të korit.   

Performanca e tyre u prit jo vetëm me duartrokitje, por me një sms në telefonat e prindërve, dërguar nga drejtoresha e Qendrës Kulturore “Kujtim Aliaj”, ku falenderoheshin fëmijet për reagimin dhe daljen nga situata e sikletshme për organizatorët dhe stafin e Teatrit “Migjeni”

“Nuk gjejmë fjalë për t’ju falenderuar për magjinë që na keni dhuruar sonte!

Jemi krenarë për secilin prej jush!

Emocione që do të mbesin gjithmonë në kujtesë!

Jeni më të mrekullueshmit!

Faleminderit me zemër nga të gjithë ne!“

Edhe bashkia Shkoder ka bërë një reagim, ku ndërsa ka falenderuar fëmijët e korit, ka lënë “topin” e përgjegjësisë në “derën” e OSHEE-së

“Kori fantastik i festivalit, është ëmbëlsira e këtij edicioni. Fëmijët nuk pyesin për defektet e rrjetit të energjisë që shoqëroi natën e dytë të festivalit. Një defekt në fiderin që furnizon Teatrin “Migjeni” solli këtë atmosferë që vetëm fëmijët dinë të sjellin, për OSHEE është momenti të marrë përgjegjësinë që i takon që situata të tilla të mos ndodhin më!"

Sonte do të jetë nata e tretë e Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, dhe dashtë Zoti fëmijëve të korit nuk ju bie barra prapë për të mbuluar defektet apo përgjegjësitë e strukturave vendore që mbrëmjen e së premtes “u fshehën” pas vogëlushëve.    

Poll