
Europol dhe Interpol kanë ndërmarrë një operacion masiv të shtrirë në 6 shtete kundër grupeve shqiptare që merren me trafikun e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. Mediat e huaja shkruajnë se si pasojë janë arrestuar 17 shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre në Belgjikë.
Të arrestuar ka patur në Zvicër, Itali, Holandë, Austri dhe Gjermani. Dy shqiptarë të tjerë të të njëjtës bandë kriminale ishin arrestuar më herët në Holandë dhe Zvicër.
Gjatë arrestimit të 3 shqiptarëve në Zvicër, policia sekuestroi 9 kilogramë heroinë dhe dy kilogramë kokainë. Banda e trafikut të drogës ishte e dhunshme dhe kishte në dispozicion një arsenal të madh armësh zjarri dhe në të kaluarën ishte përfshirë në një attentat ndaj një rivali në Shqipëri, emri i të cilit nuk bëhet me dije. Po ashtu përmendet një grabitje e armatosur e një ngarkese prej 395 kg hashash në mes të shkurtit kryer në Bruksel. Operacioni nisi pas një ngarkese kokainë të zbuluar në portin e Antuerpit në Belgjikë ku shumë grupe kriminale shqiptare kanë bazën e veprimtarisë. Versus.al







