Tiranë- Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK ministrin e ri të Mbrojtjes Pirro Vengun vetëm pak orë pasi ky i fundit kishte kryer betimin në selinë e presidencës. PD pretendon se gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Portit të Durrësit, Pirro Vengu ka shpërdoruar detyrën duke shkelur rregullat e barazisë në tenderin e dhënë ndaj kompanisë holandeze “Haskoning”.
Me një tender të tillë, sipas PD, Pirro Vengu i ka shkaktuar buxhetit të shtetit 12 milionë dëm.
“Kjo kontratë është lidhur me negocim të drejtpërdrejtë ndërmjet drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu dhe përfaqësuesve të kompanisë private Royal Haskoning DHV, pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme të prokurimit publik. Ish-drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu rezulton se ka shmangur të gjitha rregullat e prokurimit publik, duke përzgjedhur drejtpërdrejtë kompaninë fituese, duke cënuar haptazi interesin publik dhe dëmtuar rëndë Buxhetin e Shtetit, me qëllim përfitimin ekonomik të subjektit privat.
Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova, se Pirro Vëngu, ish-drejtor i Autoritetit Portual Durrës, dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal”- thuhet në denoncimin e dorëzuar nga grupi parlamentar i PD.
Pirro Vengu u emërua nga kryeministri Edi Rama në krye të dikasterit të Mbrojtjes duke shkarkuar Niko Peleshin. Dje u votua gjatë seancës së mbajtur në Kuvend ndërsa sot u betua para presidentit Bajram Begaj duke marrë zyrtarisht detyrën si ministër i Mbrojtjes. Versus.al







