
Pas votimit të djeshëm në Kuvend në një seancë plot tensione, ministrat e rinj të qeverisë “Rama 3”, kanë marrë sot zyrtarisht detyrën pas betimit në presidencë para kreut të shtetit, Bajram Begaj i cili i dekretoi emërimet e kryeministrit Rama një ditë më parë.
“Betohem në nderin tim se do të respektoj kushtetutën dhe ligjin si dhe do të kryej me përgjegjësi dhe besnikëri detyrën që më është besuar si anëtar i këshillit të ministrave”- ka qenë formula e betimit për anëtarët e rinj të këshillit të ministrave para se të firmosnin për të marrë detyrën.
Kështu, Pirro Vengu merr zyrtarisht detyrën si ministër i Mbrojtjes duke zëvendësuar Niko Peleshin i cili do të drejtojë grupin parlamentar të PS. Ervin Hoxha merr detyrën e ministrit të Brendshëm duke zëvendësuar Taulant Ballën i cili merr postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ndërsa Petrit Malaj u betua si ministër i Financave duke zëvendësuar Ervin Meten.
Ndryshimet në qeveri nuk u pritën mirë nga opozita, e cila pretendoi se me këto emërime kryeministri Edi Rama ka synim që të ketë nën kontroll të gjithë dikasteret e qeverisë dhe që ministrat emra jo-politikë të firmosin atë çfarë u kërkon ai.
Për seancën ku u votuan dje anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, PD kërkoi 6 orë debat, por kërkesa nuk u mor parasysh duke vijuar me votimin e ministrave të rinj si dhe me votimin e Elisa Spiropalit si kryetare Kuvendi.
Ndryshimet e papritura në qeveri erdhën gjatë kongresit të PS ky kryeministri Edi Rama pati jo pak kritika edhe për deputetët, të cilëve u la afat deri prillin e ardhshëm për të dhënë provat se e meritojnë të jenë në listat e kandidatëve për deputetë në legjislaturën “2025-2029”. Versus.al







