Në Tiranë po zhvillohet Forumi Ekonomik Shqiptaro-Turk. Fjalën hapëse të forumit e mbajti zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku e cila përshëndeti të pranishmit në turqisht: “Hos geldeniz” (mirë se erdhët).
Teksa foli për fushat e ndryshme të bashkëpunimit mes dy vendeve, Balluku nënvizoi se rreth 5 milionë qytetarë në Turqi kanë prejardhje shqiptare, madje shumë prej tyre janë edhe aktorë në serialet e mirënjohura turke. Ajo tha se pjesë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve duhet të jetë edhe kinematografia pasi Shqipëria ka shesh xhirime të mira të cilat së fundmi janë inspektuar edhe nga përfaqësues të hollivudit.
“Disa prej aktorëve më të famshëm në Turqi janë pjesë e atij komuniteti prej gati 5 milionë qytetarësh që kanë një prejardhje apo origjinë shqiptare. I kemi të gjitha mundësitë që Ezeli i ri, Biteri e pikëlluar në kërkim të pasionit të humbur apo shokët e Sulejmanit të madhërishëm të flasin shqip.
I nderuar zv.president të siguroj se të gjithë shqiptarët që ndodhen në këtë sallë, e kanë parë Sulejmanin e Madhërishëm pa humbur asnjë seri, por jo vetëm atë, edhe Kosemin dhe të gjithë të tjerët dhe këtë e kam bërë edhe unë. Ka qenë ndër pjesët më të bukura të argëtimit sepse mësonte historinë për më tepër. Sa i përket kinematografisë, një delegacion nga hollivudi erdhi për të zbuluar sheshet e reja të xhirimit në Shqipëri. Nuk ka asnjë arsye përse të mos jenë këto edhe sheshet tona të përbashkëta në një epokë të re bashkëpunimi”- tha Balluku mes të tjerash.
Njëherësh Balluku u bëri thirrje sipërmarrësve nga Turqia për të investuar në disa nga sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare duke i siguruar se do të kenë lehtësira. Versus.al







