Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi duke folur në parlament, është shprehur se opozita nuk do ta votojë rezolutën antikorrupsion të propozuar nga mazhoranca socialiste.
Sipas tij, korrupsioni nuk luftohet me komisione e rezoluta, por çdo ditë.
"E vetmja gjë pozitive që mund të veçoj në këtë qeveri dhe nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4000 ditë ta kuptonte, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë, ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie. Lufta ndaj korrupsionit të përhapur që është rrënjosur si asnjë herë më parë nën administratën e kryeministrit Edi Rama, duhet të trajtohet nga Kuvendi si prioritet kombëtar, sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë:
Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme, diçka pozitive për vendin, do të ishte serioze, vetëm nëse ata që e propozojnë, janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionin.
Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor. Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Europë. Jemi ne që kemi denoncuar me fakte aferën korruptive të inceneratorëve, kontratat korruptive në sektorin e shëndetësisë, korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, korrupsionin në Policinë e Shtetit që solli kanabizimin e vendit.
Që ditën kur jemi betuar mbi Kushtetutë, e kemi të qartë se cfarë duhet të bëjmë. Ju që nuk e keni ende të qartë axhendën tuaj, ju që keni nevojë t’ia konfirmoni vetës para pasqyrës që do luftoni korrupsionin me fjalë, mund ta bëni, mund të votoni rezolutën, mund të botoni madje edhe një libër apo manual sesi mirëqeveriset me Arben Ndokën apo Rrahman Rrahjan", u shpreh Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend. Versus.al







