POLITIKË /

Do dalin me listën publike për 11 Majin? Dita 2 e “retreat” të Ramës me socialistët, ja çfarë u diskutua

Një çështje kyçe e diskutimeve ka qenë edhe përzgjedhja e kandidatëve për listat e deputetëve. Drejtuesit politikë të qarqeve kanë dorëzuar emrat e propozuar, të cilët do të shqyrtohen në një mbledhje të posaçme të kryesisë së PS-së

Shkruar nga Versus

Do dalin me listën publike për 11 Majin? Dita 2 e

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kryesinë e Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave për të vijuar diskutimet mbi strategjinë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kjo është dita e dytë e takimeve intensive mes drejtuesve të PS-së, ku në fokus është sigurimi i mandatit të katërt qeverisës për socialistët.

Sipas burimeve për Versus.al nga mbledhja, kryeministri Rama dhe ekipi i tij po punojnë për të hartuar një platformë të detajuar, e cila do të përqendrohet në projekte zhvillimore dhe reforma që synojnë përmirësimin e ekonomisë, shërbimeve publike dhe infrastrukturës. Një nga objektivat kryesorë të programit elektoral mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda dekadës së ardhshme, një proces që qeveria aktuale e ka vendosur si prioritet.

Një çështje kyçe e diskutimeve ka qenë edhe përzgjedhja e kandidatëve për listat e deputetëve. Drejtuesit politikë të qarqeve kanë dorëzuar emrat e propozuar, të cilët do të shqyrtohen në një mbledhje të posaçme të kryesisë së PS-së. Kjo mbledhje pritet të zhvillohet brenda afatit zyrtar të 12 marsit, kur listat duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve është përfshirja e diasporës në zgjedhjet e ardhshme. Më shumë se 240 mijë shqiptarë me banim jashtë vendit do të kenë të drejtën të votojnë për herë të parë në një proces zgjedhor, çka konsiderohet një element që mund të ndikojë në rezultatet finale.

PS synon të organizojë një fushatë të fuqishme në të gjithë vendin, duke u përqendruar në mesazhet për vazhdimësinë e reformave dhe realizimin e projekteve madhore në ekonomi dhe infrastrukturë. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se socialistët do të përqendrohen edhe në kundërpërgjigjen ndaj kritikave të opozitës, duke synuar të mbrojnë bilancin e qeverisjes së tyre.

Mbledhja e djeshme zgjati rreth gjashtë orë dhe përfshiu analizën e punës së deritanishme të qeverisë, ndërsa sot diskutimet po vijojnë me finalizimin e strategjisë elektorale. Në ditët në vijim, pritet që PS të dalë me një platformë të detajuar për publikun dhe të zbardhë listën përfundimtare të kandidatëve që do të garojnë për një mandat në Parlamentin e ardhshëm. /Versus.al/

Poll