Pas prezantimit të Evis Salës në ministrinë e Shëndetësisë, kreu i qeverisë Edi Rama ishte i pranishëm edhe në prezantimin e Besfort Lamallarit në krye të ministrisë së Drejtësisë. Rama u shpreh i bindur se Lamallari do të çojë përpara punën e bërë deri më tani në këtë dikaster, ndërsa theksoi peshën e madhe që ka kjo ministri sa i takon procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Duke u ndalur tek kjo pikë, Rama tha se fillimisht edhe ai ishte skeptik dhe i pasigurt për atë çfarë e priste vendin pas hapjes së negociatave me vështirësitë e kalimit të fazave të caktuara, por theksoi se u surprizua kur pa që puna e administratës publike u duatrokit në Bruksel.
“Duke marrë duartrokitje nga Brukseli kjo ishte një surprizë e mirëpritur. Frika ime më e madhe ishte çfarë do bëjmë ne kur të hapen negociatat se do lëmë nam. Që do të thotë që edhe unë personalisht isha i influencuar nga thashethemnaja e përditshme dhe marrja nëpër gojë e fjalët e pamerituara që qarkullojnë pa pushim nëpër gjithë kanalet e infektuara të informacionit për administratën tonë. Patjetër që administrata jonë ka probleme, por që administrata jonë e nivelit të parë të dilte nga një proces ku ka patur vende që nuk kanë dalë mirë, të dilte me duartrokitje kjo është një arsye shumë e fortë për t’u ndierë të motivuar dhe për të patur bindjen se mund të bëjmë shumë më tepër e më mirë”- tha Rama. Versus.al







