
Këshilli Drejtues i RTSH u vu në qendër të kritikave ditëve të fundit pas skualifikimit pa transparencë të disa prej kandidaturave të paraqitura për postin e drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar.
Gjatë votimit të së hënës u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë, Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës i cili u përfshi në një skandal ndaj moderatores Blerta Tafani.
Së fundmi në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetarja Ina Zhupa tha se PD është e gatshme të shkarkojë anëtarët e vetë në këshillin drejtues, nëse procesi i përzgjedhjes së drejtorit të RTSH nuk ndërpritet.
“Se është krijuar ideja atje në këshillin drejtues se nuk kemi cfarë tu bëjmë se kanë mandatin deri në 2026. Mendojnë se janë pronarë defacto të RTSH. Unë shpreh gatishmërinë që nëse nuk ndërpritet procesi, si opozitë të shkarkojmë anëtarët tanë në këshillin drejtues. Ky nuk është kërcënim, por paralajmërim”- u shpreh Zhupa.
Ndërsa përfaqësues të mazhorancës u shprehën se ishin të gatshëm të ndjekin të gjitha procedurat ligjore për të mos lejuar shkelje proceduriale në procesin zgjedhor për kreun e RTSH.
Për procesin ka reaguar edhe vetë kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo i cili e denoncoi vendimin për skualifikimin e kandidatëve të tjerë si të paligjshëm. Sipas tij, e gjithë kjo po bëhet për të zgjedhur në krye të RTSH Aurora Polon, e cila me profesion është inxhiniere.
“Ishte një vendim i paligjshëm, janë shkelur kriteret e përcaktuara në ligj, duke skualifikuar nga gara gazetarë dhe duke lënë në garë një kandidate si Aurora Polo, e cila është inxhiniere me profesion,”- deklaroi ai në një intervistë për dhënë për BIRN.
Sipas tij, ngërçi i krijuar mund të zgjidhet vetëm nëse merret vendimi për shkrirjen e këshillit drejtues të RTSH-së. Versus.al







