Mesazhi i publikuar 10 ditë më parë nga Partia Demokratike ku pretendohej se ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha kishte fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, u bë çështje diskutimi gjatë mbledhjes së sotme në komisionin e Jashtëm.
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi e pyeti ministrin lidhur me qëndrimin e tij sa i takon këtij mesazhi që ka shkaktuar fyerjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Hoxha iu përgjigj duke thënë se qëndrimet e tij dhe të ministrisë bëhen nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe jo SMS-ve në telefon.
Pjesë nga debati:
Këlliçi: Në grupin e whatsappit keni shkruar një koment në një artikull të postuar nga ambasadori ynë në RMV ku keni thënë> po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë. Nëse do të kishit mbajtur një qëndrim teknik, sepse gabimet ndodhin, mund të kishte kaluar më lehë kjo çështje. Por zëdhënësi juaj mohoi këto mesazhe dhe më pas u detyrova të nxirrja foto të plota të mesazhit tuaj.
Hoxha: Kam takuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për të sqaruar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Qëndrimet e mia si ministër dhe ato të Ministrisë së Jashtme nuk shprehen përmes SMS-ve, Signal-it apo WhatsApp-it, por vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe deklaratave të autorizuara. Vetëm këto përbëjnë qëndrime zyrtare.
Para disa ditësh, zëdhënësi i ministrisë e mohoi se Hoxha kishte dërguar një mesazh të tillë, ndërsa zyrtarët e PD publikuan detaje të tjera edhe nga momenti kur Hoxha kishte dalë nga grupi i whatsapp-it ku kishte dërguar mesazhin. Versus.al


