
Erges Dule, kryetari i bashkisë së Konispolit, ka reaguar sërish për situatën e fundit pas kërkesës së kryeministrit Rama për largimin e të gjithë drejtorëve të bashkive në nivel vendi.
Dule kundërshton këtë vendim dhe përmend edhe reagimin e ashpër të Ramës, i cili i ka thënë se “nëse nuk i shkarkon, atëherë jepe ti dorëheqjen”.
Megjithatë, kryebashkiaku i Konispolit duket se nuk është i gatshëm të bëjë asnjë lëvizje.
Në një postim të gjatë në Facebook, ai thekson punën që kanë bërë drejtorët e tij në bashki, por në të njëjtën kohë, bie në kontradiktë duke fajësuar punonjësit dhe jo drejtuesit për problemet e mundshme.
“A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Po ju them unë që jo. Por punonjësit varen dhe angazhohen nga ai që i drejton. Nëse drejtuesi nuk ka pasionin, dëshirën dhe dashurinë për vendin e vet atëherë dhe punonjësi do bëje aq sa për t’u dukur. Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto dhe çdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo.” shkruan ndër të tjera Dule në postim.
Postimi i plotë i kryebashkiakut të Konispolit, Erges Dule:
Përshëndetje të gjithëve! Ju falënderoj për interesimin dhe komentet por ju garantoj që nuk ka asnjë debat në lidhje me shkarkimin e administratorëve.
Kjo është një nisëm për ripërtëritjen e administratës, për një rritje në cilësinë dhe sasinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Me këtë administratë kemi bërë plot punë të mira për komunitetin, pastrim territori, kanale kullues e vaditës, kemi shuar zjarre, kemi bere ndriçim publik ne 100% të territorit, kemi shtruar rrugë rurale, infrastrukturë bujqësore, kemi bërë projekte, kemi pritur e trajtuar qindra kërkesa/ankesa, kemi asistuar në aplikime të ndryshme e-albania, kemi organizuar aktivitete kulturore, mirëmbajtje rrugë rurale, mirëmbajtje e investime në shkolla etj etj.
Ka akoma për të bërë? Patjetër që po.
A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Po ju them unë që jo. Por punonjësit varen dhe angazhohen nga ai që i drejton. Nëse drejtuesi nuk ka pasionin, dëshirën dhe dashurinë për vendin e vet atëherë dhe punonjësi do bëje aq sa për t’u dukur.
Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto dhe çdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo. Këtu na duhet ndihma juaj dhe opinioni juaj. Nëse administrata punon mirë dhe është në shërbim të qytetarit ska vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë. Opinioni juaj vlen dhe është vlerësimi i performancës për ne. Mos nguroni të shprehni mendimin tuaj për secilin nga punonjësit e bashkisë Konispol, na shkruani për çdo problematikë. Shpresoj që kjo nisëm të vazhdojë në çdo zyrë shteti ku i shërbehet qytetarëve!







