
Socialistët zgjodhën sot Vangjel Tavon si kandidat për bashkinë e Himarës në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 4 gusht pasi të premten KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit i cili ndodhet në burgun e Fierit i dënuar me 2 vite burg për blerje votash.
Por kush është Vangjel Tavo, dikur ish-deputet i LSI dhe ministër Shëndetësise?
Tavo ka lindur në një fshat afër Gjirokastrës, më 17 dhjetor 1969. Ka përfunduar studimet për mjekësi dhe më pas ka kryer specializimin për Gjinekologji. Karriera e tij politike nisi në vitin 1996 kur ai, duke përfaqësuar Partinë Socialiste të Shqipërisë, fitoi zgjedhjet në Gjirokastër për herë të parë për Partinë e tij pas një kohe shumë të gjatë. Por për shkak të një problemi në vend ai hyri në parlament vetëm në vitin 1997. Më pas, deri në vitin 2010, ai ishte deputet i Shqipërisë duke qenë pjesë e Partisë Socialiste. Në këtë vit ai ndërroi Partinë e tij dhe iu bashkua LSI-së, partisë së kryesuar nga Ilir Meta. Ai zëvendësoi Petrit Vasilin duke mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë nga viti 2012 deri në 2013.
Më pas deri në vitin 2017, Tavo ishte deputet i LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u shkëputur më pas për njëfarë kohe nga skena aktive politike. U rikthye në mars të këtij viti duke u emëruar me vendim të këshillit të ministrave prefekt i qarkut të Vlorës.
Bashkia e Himarës, nuk ka gjetur qetësi edhe pas arrestimit të Belerit. Në mars, u arrestua kryebashkiaku socialist Jorgo Goro i cili pavarësisht humbjes mbeti në detyrë. Ndaj tij rëndon akuza për tjetërsimin e pronave në Himarë. Ndërsa u pasua nga Blerina Bala e cila nuk zgjati as tre muaj në post dhe dha dorëheqjen për arsye personale, për t’u zëvendësuar më pas nga Arqile Bollano i cili u zgjodh në qershor si kryebashkiak i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Versus.al







