
Mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, nisi me debate mes kryetarit të komisionit, Ervin Salianji dhe deputetëve të PS të cilët u larguan nga salla për shkak se nuk iu dha fjala ligjëvënëses Blerina Gjylameti.
Pas debateve, mbledhja u ndërpre për 5 minuta për të rinisur sërish me debate mes deputetit Tonin Gogu dhe Salianjit, duke e krahasuar qëndrimin e PD-së për vendimin e gjykatës Kushtetuese me atë të arbitrit gjatë ndeshjes Gjermani-Spanjë ku nuk u pa prekja e topit me dorë, duke nënkuptuar kështu se demokratët po e interpretonin shprehjen e Kushtetueses për komisionet hetimore sipas dëshirës së tyre.
"Ju me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në duar si puna e atij arbitërit që se pa penalltinë e gjermanve në kampionat dhe do të ishte njësoj sikur ai ti lexonte trupës së gjyqtarëve të tjerë se si jepen penalltit. Edhe ju se keni lexuar fare vendimin, ju nuk respektoni rregulloren e kuvendit sepse ka një trup të përcaktuar qartë që shqyrton vendimin e GJK. Nëse ligji do ishte në kundërshtim me kushtetutën do të ishte shfuqëzuar”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i PD, Asllan Dogjani duke marrë si favor vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore, kërkoi që në komision të thirren si dëshmitarë edhe kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi për t’u marrë në pyetje lidhur me rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS.
"Vendimi i GJK na ka dhënë të drejtë ne për nismat lidhur me komisionet hetimore. Mazhoranca nuk mund të na mohojë më të drejtën për të thirrur dëshmitar dhe për të bërë seanca publike. Duhet të thirret kryeministri, ish- ministri i brendshëm dhe secili që ka dal nga hetimi në lidhje me ndërhyrjen në sistemin tims. Ju nuk na keni lënë mundësi deri tani që ti thërrasim. E kemi provuar se është ndërhyrë në sistemin tims. Lidhur me hardiskun që doli për të dhënat për pagat, targat e makinave, në rastin e zgjedhjeve që janë përdorur të dhënat për të vjedhur vota, pra këto të gjitha janë provuar, por ne duam që të dimë se kush ka qenë qëllimi që kanë ndërhyrë. GJK na ka dhënë të drejtë që ti shkojmë deri në fund hetimit dhe të provojmë se kush janë personat që i kanë futur këta punonjës të sistemit tims që të fshijnë të dhënat dhe të ngarkojnë ato të dhëna në aplikacionin telegram", tha ai.
Në seancën e sotme, pritet të dëshmojnë: Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe
Mbrojtjen e të Dhënave Personale; Genti Gazheli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave; Edmond Rrushi, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit; Luneda Sufali, Kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor; Ardian Bali, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Versus.al







