POLITIKË /

KQZ miraton numrin e fletëve të votimit për zgjedhjet në Himarë, ja sa qytetarë kanë të drejtë vote

Pas përfundimit të procesit të votimit, votat do numërohen në sallën e këshillit bashkiak të Himarës.

Shkruar nga Versus

KQZ miraton numrin e fletëve të votimit për zgjedhjet në

Himarë- 23 mijë e 74 persona do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen më 4 gusht në bashkinë e jugut.

KQZ miratoi ditën e sotme numrin e fletëve të votimit që do të jenë rreth 2% më shumë sesa numri i personave me të drejtë vote të cilët do të shprehin vullnetin e tyre në 36 qendra votimi. Deri më tani, janë konfirmuar dy kandidatë, të opozitës dhe të mazhorancës për kreun e bashkisë Himarë.

Vangjel Tavo, i besuari i socialistëve hoqi dorë dy ditë më parë nga posti i prefektit të Vlorës, detyrë ku ishte emëruar në mars të këtij viti me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa opozita, përfaqësohet nga Petro Gjikuria, biznesmeni shqiptaro-amerikan i cili ka deklaruar se do të ndjekë të njëjtën rrugë si Beleri. Ky i fundit u rikthye sot në burgun e Fierit pasi i mbaroi leja 5 ditore e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve për t’u betuar si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian.

KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës për shkak të dënimit me 2 vite burg të tij për korrupsion zgjedhor në vendoret e 14 majit të vitit të kaluar. Aktualisht bashkia kryesohet nga kryetari i komantuar Arqile Bollano, i cili u zgjodh nga këshilli bashkiak me 12 vota pro. Versus.al

Poll