Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka folur sërish për vendimin e tij për të mos kandiduar nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” pasi kishte mbetur jashtë listave të mbyllura të PD në Elbasan.
Sula tha se pas mosdakordësisë edhe me Lapajn sa i takon listave në Elbasan, e kishte telefonuar Flamur Noka i cili i kishte kërkuar sërish që të ishte pjesë e listës së hapur të PD. Për partinë e drejtuar nga Lapaj, Sula tha se ka humbur mundësinë historike sepse ka vendosur familjarë në listat e mbyllura.
“Unë nuk kam qenë fare në listën e PD, as të mbyllur, as të hapur. Zero. Le të dali Sali Berisha i pari dhe gjithë të tjerët dhe ta kundërshtojnë këtë me prova me fakte. Ditën e enjte më ka telefonuar Flamur Noka, sekretari, numri 2 i PD, i cili pasi u mor vesh që unë nuk do duhet të kandidoj, se e thashë që ka qenë në nxitim e sipër edhe qëndrimi im në raport me atë, edhe duke pasur parasysh që ishin 2 orët e fundit, njeriu emocional, etj, etj, pavarësisht që është parti opozitare Nisma Shqipëria Bëhet, dhe kur nuk mu dha garancie teknike, sepse në listat e mbyllura kishin vënë tezet, xhajat, baballarët dhe për mua Lapaj ka humbur shansin e jetës së tij politike.
Mandatin e parë do e merrte në Elbasan nga ana ime, sepse 80 % do votonin demokratët dhe 20 % mbështetësit e tij, gjë të cilën e refuzova sepse kërkoja garanci, sepse më tha që janë njerëz kot në listat e mbyllura e tërhiqen në çdo moment. Noka më kërkoi që të vazhdoj të kandidoj në listën e hapur të PD-së. Dhe unë për shkak të këmbënguljes së qindra e qindra demokratëve dhe shumë zërave, për shkak të dobësisë sime që kam për demokratët dhe për PD-në, siç jam natyrë emocionale, edhe thyhem kur duhet të bëj një shërbim e bëj”- tha Sula në emisionin “Debat” në A2CNN.
Më tej, deputeti u shpreh se gjatë komunikimi me Flamur Nokën i kishte lënë kusht tërheqjen e një personi nga lista e mbyllur, duke theksuar se fuqia e tij elektorale në Elbasan, janë njerëzit që ka në Peqin.
“Se s’jam nga ata, po përdor një shprehje që ia kam thënë edhe Berishës në 2008 para Grupit Parlamentar, ‘jam burrë që thyhem, jo që përkulem’. Tani pasi unë kam mbajtur një fjalim shumë të hapur e të fortë në Parlament, i kam hapur telefonin zotit Noka, i kam thënë edhe 2 fjalë që duhet t’ja thoja, që ta dëgjonte me veshët e vet, nuk e kam ofenduar padiskutim.
Pastaj i thashë ‘për ça më kërkoni? Për këtë, Po do reagoj. Por kam një kusht. Fuqia ime është familja ime dhe njerëzit e mi në Peqin. Dhe makina elektorale e imja janë njerëzit e mi në Peqin. Pra kushti ishte që të largohej një person tjetër nga lista e mbyllur. Diskutuam deri ditën e djeshme, por nuk ramë dakord dhe bisedimet u mbyllën”- deklaroi deputeti. Versus.al







