POLITIKË /

Meta reagon nga burgu: Më ndalojnë të flas me gazetarët, do komunikoj me letra të hapura – e para për Arben Ahmetajn

Meta thotë se i është ndaluar kontakti me gazetarët, me arsyetimin se ka shkelur rregulloren, një pretekst që, sipas tij, synon të kufizojë të drejtën për t’u shprehur publikisht.

Shkruar nga Versus

 

Meta reagon nga burgu: Më ndalojnë të flas me gazetarët, do

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish nga qelia, duke ngritur akuza ndaj autoriteteve të burgut për shkelje të të drejtave të tij të komunikimit.

Meta thotë se i është ndaluar kontakti me gazetarët, me arsyetimin se ka shkelur rregulloren, një pretekst që, sipas tij, synon të kufizojë të drejtën për t’u shprehur publikisht.

“Po më pengojnë të flas me median duke përdorur justifikime të rreme,” është shprehur Meta, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se pas 20 ditësh ka arritur të takohet me motrën dhe dy mbesat e tij, por autoritetet i kanë ndaluar hyrjen nipit të tij, një tjetër veprim që Meta e cilëson si të pajustifikuar.

Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj tij, Meta njofton se do të përdorë një formë tjetër për të komunikuar me publikun – letrat e hapura. E para, sipas tij, do t’i drejtohet Arben Ahmetajt, ish-zv.kryeministër dhe i shumëpërfolur në hetimet për aferën e inceneratorëve, aktualisht në arrati.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Meta përballet me hetime të thelluara nga SPAK dhe akuzat ndaj tij janë bërë pjesë e debateve të forta politike në vend.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

Të dashur miq,

Sot u thirra sërish para një Komisioni Disiplinor, si gjyq ushtarak, për një gabim “shumë të rëndë”: Dje dhashë një intervistë në mesditë për gazetaren Aida Tancica në MCN TV, nga telefoni i Avokatit tim, Kujtim Cakrani.

Kur herën e parë fola me gazetaren Beti Njuma, më thanë ke shkelur rregulloren se ke folur pas orës 20:00, ndërkohë sot u thirra nga “Disiplina” për arsyen e vërtetë, se nuk duan të komunikoj me gazetarët.

Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe lirinë e fjalës.

Nuk mbaron me kaq.

Po sot, më në fund pas 20 ditësh, më lanë të takohesha me motrën dhe dy nga tre fëmijët. U mërzita fillimisht kur në takim pashë vetëm motrën dhe dy vajzat, por jo djalin.

Më sqaruan se Besi po priste jashtë se rregullorja nuk lejon më shumë se 3 veta në takim, kur ndërkohë gjatë 8 muajve, në një takim në javë që kam bërë me familjarët, siç do i paraburgosur tjetër, i kam takuar të 4-ët bashkë.

Në këto kushte, kur masat represive përforcohen çdo ditë me "risi", kam vendosur të realizoj një formë të re komunikimi me publikun, me letra të hapura.

Nesër, letra e parë e hapur, do të jetë për z. Arben Ahmetaj. /Versus.al

Tags:

meta reagim

Poll