Ditën e sotme Kuvendi ishte planifikuar të mblidhej në një seancë të jashtëzakonshme plenare në orën 18:00 për të votuar ndryshimin e kryetares së Kuvendit, duke votuar mbi propozimin e Elisa Spiropalit si zëvendëse të Lindita Nikollës e cila dha dorëheqjen nga detyra disa ditë më parë për shkak të problemeve shëndetësore. Por seanca u shty për nesër.
Seanca vjen pasi sesioni parlamentar konsiderohej i mbyllur por plani ndryshoi me emërimet e reja të cilat kryeministri Edi Rama i bëri publike gjatë Kongresit të PS të zhvilluar ditën e djeshme.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm një mbledhje urgjente zhvilloi edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste sa i takon zgjedhjes së strukturave drejtuese, kjo pasi kryeministri Edi Rama caktoi Niko Peleshin në krye, duke e zëvendësuar me Pirro Vengun në ministrinë e Mbrojtjes. 30 deputetë firmosën shkresën ku Elisa Spiropali propozohet si kryeparlamentare dhe tashmë shkresa i është dorëzuar sekretarisë së Parlamentit.
Po ashtu, në ministrinë e Mbrojtjes, u emërua Ervin Hoxha i cili mban aktualisht postin e kreut të IKMT. Ndërsa Taulant Ballës iu besua drejtimi i dikasterit të ministrisë së Marrëdhënieve me Parlamentin. Ndryshime pati edhe në ministrinë e Financave ku u largua Ervin Mete duke e zëvendësuar këtë të fundit me Petrit Malajn i cili mban aktualisht postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Ndryshimet u pritën me reagime edhe nga deputetët demokratë të cilët i cilësuan ministrat e rinj si “anonimë që i lehtësojnë punën Ramës”. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi njoftimin e Kuvendit për seancë plenare e shpërndau tek deputetët e tjerë, duke vënë në dukje se presidenti Bajram Begaj kishte qenë në zyrë edhe ditën e dielë duke dekretuar me urgjencë emrat e propozuar nga Rama. Versus.al







