POLITIKË /

"Ose jemi të gjithë brenda, ose nuk ka më Evropë" / Edi Rama "godet" në zemër të Brukselit

Nga hajdutët e britanikëve te fetusi ballkanik në mitrën e Europës – Kryeministri shqiptar “godet me stil” në Kolegjin e Bruzhit: Shqipëria s’po zgjerohet, po kthehet në shtëpi

Shkruar nga Versus

"Ose jemi të gjithë brenda, ose nuk ka më Evropë"

Në një fjalim të mbajtur para studentëve të Kolegjit të Evropës në Bruzh, Belgjikë, kryeministri Edi Rama solli një pasqyrë të gjallë, ironike dhe filozofike mbi Europën, Shqipërinë dhe sfidat e sotme të kontinentit të vjetër. Në mënyrën e tij karakteristike, Rama ndërthuri aty diplomacinë me sarkazmën, historinë me aktualitetin, duke përcjellë një mesazh të qartë: Bashkimi Evropian nuk është zgjerim, është ribashkim.

“Europa do të jetë e ardhmja jonë ose nuk do të jetë më. Kjo është e vërteta. Që Europa të mbetet Europë, bashkimi duhet të jetë domosdoshmëri”, – tha Rama, duke theksuar se fragmentarizimi është armiku më i madh i kohëve moderne, në një botë ku paqja nuk është më e mirëqenë, por një përpjekje e përditshme.

Rama nuk i kurseu thumbat ndaj atyre që përpiqen ta njollosin Shqipërinë, me një referencë të drejtpërdrejtë ndaj diskursit politik në Mbretërinë e Bashkuar, që shpesh përmend shqiptarët në kuadër të kriminalitetit.

“Ata thonë që shqiptarët janë hajdutë në Britani. Po mirë, Shqipëria qenka fajtore që ka numrin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Europë, ndërsa ju të parët në listë? Dhe përgjigjja është: sepse shqiptarët kanë shkuar atje. Kështu bëhesh kur del nga BE – flet gjepura,” ironizoi ai.

Me krenari, Rama vuri në dukje progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Nga një vend i izoluar dhe i harruar 30 vite më parë, në një vend që tashmë ka hapur kapituj dhe po e mbyll dosjen e negociatave më shpejt se ç’pritën edhe “priftërinjtë e Brukselit”.

“Jemi në proces, kemi çelur dhe 4 kapituj të tjerë, kanë mbetur edhe 5. Me shpresë brenda këtij viti, që është rekord! Një shpejtësi që befason edhe arqipeshkvët e Brukselit. Dhe kjo, besomëni, është më e vështirë se të befasosh Perënditë.”

Në një nga pjesët më reflektive të fjalës së tij, Rama kujtoi fjalët e Jacques Delors dhe u ndal te domethënia e vërtetë e projektit europian.

“Evropa është rrëfenjë vullneti. Dhe ky vullnet na duhet për ta bashkuar atë. Nuk më pëlqen fjala ‘zgjerim’. Nuk ka asgjë për të zgjeruar – kjo është një ribashkim, sepse ne nuk jemi jashtë Evropës. Ne jemi në kontinent, në kulturë, në histori.”
Duke përdorur një metaforë të guximshme, ai e përshkroi Ballkanin si "një fetus në mitrën e një gruaje shtatzënë", duke sugjeruar se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e plotë të këtij rajoni.

"Ose jemi të gjithë brenda, ose nuk ka më Evropë"

Rama theksoi se në një botë që rrezikon të rrëshqasë drejt ndarjeve dhe konfliktit, Europa duhet të riforcojë misionin e saj fillestar – paqen.

“Evropa, BE janë dy fjalë për një – paqja. Ka qenë arsyeja e lindjes, duhet të jetë arsyeja e së ardhmes. Si mund ta lejojmë këtë krijesë të mahnitshme të kthehet në një makineri lufte?”
Ai kërkoi që Europa të ketë një plan për sigurinë e Ukrainës, për ribashkimin e kontinentit, dhe për të luajtur një rol qendror në diplomacinë globale.

Në fund, me një ton emocional dhe humor të hollë, Rama foli për vlerat e popullit shqiptar – besnikërinë, mikpritjen dhe forcën e lidhjeve njerëzore.

“Mbështetja e shqiptarëve për BE-në është 92%. Po, kështu ishte edhe për Perandorinë Osmane – jemi popull besnik ndaj miqve. Ju jap një këshillë: sigurohuni të keni një mik shqiptar. Mund të mos ju duhet sot, por në ditën e nevojës, shqiptari është i pari që do ju vijë.”- përfundoi Rama.

Poll