
Kuvendi ka vendosur të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 4 shtator, për të vendosur mbi fatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj, kjo pas kërkesës së opozitës për mocion.
Deputetët e PD kanë dalë në rezultatin se deputeti socialist i Vlorës, Vullnet Sinaj ka përfituar nga Buxheti i Shtetit shumën prej 3.689.814 (tre milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë, nëpërmjet 9 kompanive të tij.
Sipas deputetëve të opozitës bie në kundërshtim me atë çka parashikon Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 70, pika 3.
Kryeparlamentarja, Elisa Spiropali do të drejtojë mbledhjen pas kërkesës së deputetëve të opozitës, për t’i hequr ose jo mandatin kolegut të saj socialist.
Në vijim të mocionit të dorëzuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 04.09.2024, ora 11:00, me këtë rend dite:
“Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”.
Në materialet që i janë shpërndarë deputetëve bie në sy edhe përgjigjia zyrtare e Ministrisë së Financave dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, që konfirmojnë pagesat nga Buxheti i Shtetit për kompanitë në pronësi të deputetit Sinaj.
/ Versus.al







