
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, pak para se të futej në seancën plenare, në një komunikim me gazetarët ka deklaruar se kandidatura e Ogerta Manastirliut për drejtimin e Bashkisë së Tiranës u propozua në një situatë emergjente gjatë shtatorit të kaluar, kur kryeqyteti ishte pranë zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, në këtë moment Partia Socialiste ka kohë të mjaftueshme për të ndjekur një proces të rregullt, ashtu siç parashikon statuti i partisë për çdo bashki.
“Ishte një emergjencë në shtator, mund të ishte dhe ashtu gjëja, tani është koha e mjaftueshme që PS të bëjë një proces. Atë që parashikon statuti, siç bëhen për çdo bashki, mund të bëhen dhe për Tiranën”, tha Braçe.
Braçe theksoi se angazhimi i tij për të qenë kandidat nuk lidhet me ambicie personale, por me punën dhe rezultatet e tij ndër vite.
Pyetjes se pse i ka kërkuar KQZ-së rezultatet ndër vite si deputet, Braçe u shpreh:
'Është një arsye formale në këtë moment sa nuk ka ku te shkojë. 26 maj mua më bëhen 30 vjet si deputet në Kuvendin e Republikës dhe meqë këto rezultate sidomos të zgjedhje të ’96 -97 nuk i gjen asgjëkundi jam i detyruar t'ja kërkoj me shkrim KQZ-së. Më duhen.Do shkruaj një status. Do ta shikoni”.
Në asamblenë e PS-së në Njësinë 5, dy ditë më parë Braçe kërkoi mbështetjen e socialistëve në të gjithë kryeqytetin, duke lënë të hapur mundësinë e një gare si kandidat i pavarur për bashkinë e Tiranës.
“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat I pavarur për kryetar bashkie në Tiranë” mësohet se është shprehur Brace në mbledhje./Versus.al

