POLITIKË /

S'ka dakordësi për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, PS nuk pranon kërkesën e opozitës

Damian Gjiknuri tha se nuk do të pranohet kërkesa e opozitës për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

Shkruar nga B.V
S'ka dakordësi për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, PS nuk
Grupi i dialogut politik mes PS dhe opozitës

Sot është zhvilluar takimi i radhës i grupit të dialogut politik mes PS dhe PD lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pavarësisht se 1 korriku është afati i fundit që ka komisioni për Reformën Zgjedhore që të paraqesë raportin mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ende nuk ka dakordësi mes palëve për çështje themelore.

PS nuk ka pranuar kërkesën e PD për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore si ajo e marrëveshjes së 5 qershorit.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Damian Gjiknuri u shpreh i prerë kur tha se PS nuk do e pranonte rikthimin e marrëveshjes së 5 qershorit për koalicionet parazgjedhore, ndërsa sa i takon votës së Diasporës u shpreh se nëse opozita nuk pranon raportin përfundimtar atëherë do të thotë se nuk e do votën e emigrantëve.

Sipas tij, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen brenda korrikut por theksoi se nëse opozita nuk i dëshiron, atëherë do të mbetet në fuqi kodi zgjedhor aktual.

“Nëse ata nuk janë dakord nuk do miratohet vota e diasporës, ne do bëjmë një propozim siç e kanë dorëzuar ata. Nëse nuk e duan, do u themi qytetarëve që opozita nuk e do votën e diasporës.

Unë i pres të reflektojnë, 5 qershori është e ezauruar, nuk përbën kusht fare për ne. Nëse duan diskutime për çështje të tjera, i mirëpresim. Brenda korrikut, ligji duhet të miratohet me qëllim që KQZ dhe institucionet e tjera të kenë kohën e duhur. Nëse nuk ka dakordësi, kodi në fuqi mundëson zgjedhje të lira e të ndershme”- tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha për mediat se nuk do të pranonin ndryshime të pjesshme në Reformën Zgjedhore, por vetëm ndryshime që do të sillnin reformim të plotë të Kodit Zgjedhor. Sipas tij, Rama nuk pranon kërkesat e opozitës për shkak se i druhet humbjes në zgjedhje, gjë që sipas tij, do t’i hiqte “paprekshmërinë” nga institucionet e drejtësisë.

“Ndryshimi i njëanshëm i kushtetuës dhe kodit zgjedhor, vetëm deformon votën e shqiptarëve. Ky deformim do transferohet në të njëjtën masë duke përkeqësuar edhe votën e emigrantëve. Sepse vota e diasporës do kanalizohet në këtë sistem. Po kërkojmë që zgjedhësit shqiptarë të kenë të drejtën e listës së hapur të partive politike, të zgjedhin ato se cilën parti koalicioni do votojnë dhe cilët kandidatë. Ai përdor imunitetin e pushtetit që ti bëjë presion drejtësisë duke u thënë se unë jam këtu dhe ju nuk guxoni të hetoni aferat korruptive”- u shpreh Bylykbashi.

Në përfundim ai nuk u përgjigj nëse PD do të hynte në zgjedhje nëse nuk bëheshin ndryshimet e kërkuara në Kodin Zgjedhor, ndërsa la të kuptohej se opozita nuk do të pranonte vetëm ndryshime të pjesshme. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: